LAJMI I FUNDIT:

Thaçi dhe Mijallkov shpallen fajtorë, dënohen me nga tre vite burg

Thaçi dhe Mijallkov shpallen fajtorë, dënohen me nga tre vite burg

Sot në Gjykatën Penale në Shkup është shqiptuar aktgjykimi për rastin e Prokurorisë Speciale “Titanik 2”, e cila ka të bëjë me parregullsi zgjedhore në zgjedhjet lokale të vitit 2013.

Sipas vendimit të gjykatës Menduh Thaçi u dënua me 3 vjet e dy muaj burg, Sasho Mijallkov me 3 vjet, Bedredin Ibraimi me 4 vjet e gjashtë muaj, Vllatko Sajkoski me 3 vjet, Sasho Srcev me 3 vjet dhe Aneta Stefanovska me 3 vjet, njofton Telegrafi Maqedoni.


Gjykatësi tha se të akuzuarit kanë të drejtë ankese në afat të paraparë me ligj.

Në rastin “Titanik 2” të PSP-së të akuzuar kanë qenë kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi, ish-drejtori i DSK-së Sasho Mijallkov si dhe ish-anëtarët e KSHZ-së, Bedredin Ibraimi, Aneta Stefanovska, Vllatko Sajkovski dhe Sasho Srcev.

Rasti është udhëhequr nga gjykatësi Ognen Stavrev.

Sipas aktakuzës së PSP-së, Mijallkov si drejtor i DSK-së dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të OBRM-PDUKM-së e ka shfrytëzuar ndikimin e tij real dhe përmes Menduh Thaçit ka dakorduar të miratohen ankesat për rivotimin në tre vendvotime në Strumicë në zgjedhjet lokale 2013.

Në kthim të kësaj anëtarët e KSHZ-së nga radhët e OBRM-PDUKM-së duhej të votonin për ankesat e PDSH-së në Çair./Telegrafi/