Testi i qëndrueshmërisë së Pixel 11 Pro Fold tregon se Google bëri të njëjtin gabim katër herë radhazi

Vetëm rreth dy javë pasi testoi qëndrueshmërinë e Samsung Galaxy Z Fold8, Zack Nelson nga kanali i njohur në YouTube JerryRigEverything ka vënë në provë edhe një tjetër telefon të palosshëm: Google Pixel 11 Pro Fold.
Testi ndjek procedurën e zakonshme të Zack, duke nisur me provat e gërvishtjeve në ekran dhe materialet e jashtme të pajisjes. Më pas, telefoni përballet me testin e flakës, përpara se të mbulohet me rërë dhe grimca të imta për të parë se si sillet mekanizmi i palosjes dhe pjesët e brendshme.
Por momenti më kritik vjen në fund, me testin e përkuljes, transmeton Telegrafi.
Rezultati duket se përsërit një problem që Google e ka pasur edhe me gjeneratat e mëparshme të telefonave të saj të palosshëm. Sipas testit, Pixel 11 Pro Fold çahet përgjatë të dy linjave të antenave, duke përsëritur të njëjtin dobësi strukturore që është vërejtur edhe në tre modelet e mëparshme të serisë.
Madje, këtë herë situata bëhet edhe më interesante, pasi gjatë testit xhami i pjesës së përparme shkëputet gjithashtu nga trupi i pajisjes.
Kjo ngre pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë strukturore të telefonit, veçanërisht duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një pajisje premium me çmim të lartë.
Testi vjen gjithashtu pas një rezultati dramatik të Pixel 10 Pro Fold, i cili në provën e mëparshme të qëndrueshmërisë përfundoi duke u dëmtuar rëndë dhe duke nxjerrë tym.
Megjithatë, mbetet për t'u parë nëse Pixel 11 Pro Fold përsërit të njëjtin fund apo nëse, pavarësisht dëmtimit strukturor, arrin të rezistojë më mirë se paraardhësi.
Një gjë është e sigurt: testi i JerryRigEverything ka ngritur sërish pikëpyetje serioze mbi forcën e telefonave të palosshëm të Google. /Telegrafi/
- YouTube www.youtube.com






































