LAJMI I FUNDIT:

Tesla zgjeron zbritjet e çmimeve në tregjet e saj në Evropë, Singapor dhe Izrael

Tesla zgjeron zbritjet e çmimeve në tregjet e saj në Evropë, Singapor dhe Izrael

Tesla gjatë ditës së premte i uli çmimet për veturat e saja elektrike në Evropë, Izrael dhe Singapor, duke zgjeruar serinë e zbritjeve botërore të cilën e filloi në Kinë, përderisa shqetësimet për margjinën e fitimit të saj rriten.

Javën e kaluar, Tesla raportoi për një rritje prej vetëm 4 për qind në dërgesat e saj për tremujorin e parë në krahasim me tremujorin e kaluar, pavarësisht ofrimit të zbritjeve në Shtetet e Bashkuara, Kinë, Australi dhe Kore të Jugut, me synimin e vetëm të nxitjes së kërkesave.


Disa ditë pas publikimit të të dhënave dëshpëruese të dërgesave, Tesla njoftoi edhe zbritjen e pestë të çmimit të veturave të saj në tregun amerikan, teksa Uashingtoni zyrtar përgatitet që të prezantojë standarde më të ashpra që do të kufizojnë kreditë tatimore për veturat elektrike, raporton Reuters, transmeton Telegrafi.

Në vitin 2022, prodhuesi më i vlefshëm i veturave në botë, nuk kishte përmbushur as edhe objektivin e Elon Musk për dërgesat e veturave në rritje prej 50 për qind, por kishin stagnuar në një rritje prej 40 për qind për shkak të problemeve logjistike dhe rënies së kërkesës.

Gjatë së premtes Tesla tha se ka zbritur çmimet në disa tregje evropiane, duke përfshirë Gjermaninë dhe Francën për shkak të rritjes dhe përmirësimit në kapacitetin e saj të prodhimit.

Në tregun gjerman, Tesla ka ulur çmimin e automjeteve të saj Model 3 dhe Model Y nga 4.5 deri në 9.8 për qind, treguan të premten të dhënat në faqen e saj të internetit, duke shënuar uljen e dytë të çmimit këtë vit pas një uljeje çmimi prej 1 deri në 17 për qind, të cilën e kishin bërë në janar.

Në Singapor, çmimet për Model 3 dhe Model Y kishin një rënie prej 4.3 për qind dhe 5 për qind. Ndërsa në tregun e saj në Izrael, Tesla çmimin e Model 3 e uli në një shifër prej 25 për qind. /Telegrafi/