LAJMI I FUNDIT:

Tërmkolli udhëheqjen e LDK-së i quan të mjerë e frikacakë – “e kanë shndërruar partinë në një shoqëri aksionare të tyre”

Tërmkolli udhëheqjen e LDK-së i quan të mjerë e frikacakë – “e kanë shndërruar partinë në një shoqëri aksionare të tyre”

Anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Melihate Tërmkolli, në prag të 30-vjetorit të themelimit të kësaj partie, nuk ka kursyer akuza të rënda në drejtim të lidershipit partiak.

Përmes një postim në Facebook madje e ka quajtur udhëheqjen e LDK-së si të mjerë e frikacakë, së keqes, duke e degraduar nga partia më e fuqishme politike në Kosovë, në një parti të uzurpuar e të ngulfatur për interesa personale e klanore.


“Në 30 Vjetorin e saj, LDK-ja është gjithçka tjetër, përveç LDK identitare rugoviane. Udhëheqja e saj e “ngushtë” për më se 10 vite ia ka shpërfytyruar shpirtin dhe trupin e saj deri në “zhbërje”. E kanë shndërruar LDK-në në një shoqëri aksionare të tyre dhe bëjnë çfarë të munden e çfarë të duan me të. Të mjerë e frikacakë, shërbëtorë të së keqes, e degdisën LDK-në nga partia e lëvizja më e fuqishme politike, prijëse e proceseve më të mëdha e më të rëndësishme të Kosovës, në një parti të uzurpuar e të ngulfatur për interesa personale e klanore të tyre dhe të nënshtruar ndaj ҁdo interesi të të tjerëve”, shkruan Tërmkolli, njofton Telegrafi.

Ajo ka thënë se  është koha për ringritjen e LDK-së rugoviane.

“Është koha e LDK-së së interesave të Kosovës, LDK-së që punon për Kosovën, integrimet shqiptare e evropiane thellësisht perëndimore, LDK-së së guximit politik kombëtar, LDK-së së kulturës politike demokratike, LDK-së përbashkuese rreth ideve e idealeve shtetërore kombëtare, vlerave të lirisë dhe vlerave më të larta njerëzore. Po të duam, po të bëhemi bashkë, po ta kemi përnjëmend, LDK-në tonë e bëjmë të tillë, për vendin tonë, për të ardhmen tonë”, ka shkruar në fund.