Deputetët e Kuvendit të Kosovës gjatë javës së kaluar nuk kishin arritur që të miratojnë Projektligjin që lejon tërheqjen e kursimeve nga Fondi Pensional (Trusti).

Kundër kësaj kanë votuar deputetët Lëvizjes Vetëvendosje. Nga 102 deputetë në sallë, 44 patën votuar për, 57 kundër dhe 1 abstenim.

Se qytetarët kërkojnë që të tërheqin kursimet nga Trusti, tregon interesimi i tyre për ta nënshkruar peticion e iniciuar nga nisma “Pro tërheqjes së 30 për qind të Trustit”.

Adnan Jashari nga kjo nismë tregon për Telegrafin se për ta nënshkruar këtë peticion, interesim ka edhe nga punëtorët e disa ndërmarrjeve.

“Kemi filluar me peticion për Trustin në disa qytete të Kosovës dhe ka interesim të madh të qytetarëve për të nënshkruar, si shkak i gjendjes se rendë me çmimet e larta. Mbledhja ka filluar në Prishtinë, Fushë Kosovë, Prizren, Mitrovicë, Ferizaj, Skenderaj dhe Han i Elezit. Gjithashtu interesimin për të nënshkruar kanë shpreh edhe punëtoret e KEK-ut dhe fabrikës së Feronikelit”, tha Jashari.

Ai thekson se nënshkrimet e mbledhura do t’i dërgojnë në Kuvendin e Kosovës.

“Ka edhe qytetarë të ndryshëm që kanë nënshkruar peticionin dhe po e mbushin me kolegë të punës, miq e familjarë. Nënshkrimet e mbledhura do t’i dërgojmë në Kuvend. Sipas rregullores së Kuvendit me 10 mijë nënshkrime, mund të krijohet Projektligji përmes nismës legjislative të qytetarëve”, theksoi ai.

Sipas Jasharit, Qeveria e Kosovës duhet ta ndryshojë qasjen sa i përket Projektligjit për Trustin.

“Ne shpresojmë që Qeveria e Kosovës të ndryshojë qasje sa i përket Projektligjit për Trustin pasi qytetarët në të gjithë Kosovën e kanë nënshkruar peticionin për ta rikthyer dhe votuar Projektligjin që lejon tërheqjen deri 30 për qind të kursimeve nga Trusti”, përfundon Jashari.

Nuk miratohet Projektligji që lejon tërheqjen e kursimeve pensionale nga Trusti Nuk miratohet Projektligji që lejon tërheqjen e kursimeve pensionale nga Trusti

Sipas një hulumtimi të Institutit për Studime të Avancuara GAP, afër gjysma e kontributdhënësve do të mund t’i tërhiqnin mesatarisht nga 95.5 euro nga Trusti.

Vlera mesatare e kursimeve të një kontributdhënësi në Fond është 5,400 euro.

Në vitin 2020, pas krizës ekonomike që ka shkaktuar pandemia COVID-19, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike, që u ka mundësuar qytetarëve tërheqjen e 10 për qind të shumës së siguruar nga kursimet pensionale, gjatë kohës sa kanë punuar.

Procesi i tërheqjes së kësaj përqindjeje nga Trusti ka nisur nga fundi i dhjetorit të vitit 2020 dhe ka zgjatur deri në fillim të prillit të vitit 2021.

Nga të dhënat e Fondit për Kursime Pensionale, asokohe janë tërhequr mbi 198 milionë euro nga 427,371 kontribuues. /Telegrafi/