LAJMI I FUNDIT:

I tërbuari në maje të Kremlinit

I tërbuari në maje të Kremlinit

“Nëse Ukraina nuk mbijeton, as Evropa nuk do të mbijetojë. Nëse ne biem, ju do të rrëzoheni. Prandaj, ju lus të mos heshtni. Mos i mbyllni sytë para kësaj”. Ky është mesazhi i fundit i presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy, drejtuar botës demokratike perëndimore – ShBA-së dhe BE-së, në ditën e nëntë të agresionit rus në Ukrainë.

Alarmuese janë edhe paralajmërimet e disa udhëheqësve dhe diplomatëve botërorë se Rusia nuk do të ndalet në Ukrainë. Ata kanë frikë se lideri rus, Vladimir Putin, mund të mësyjë pushtimin e vendeve fqinje – përfshirë Moldavinë, Gjeorgjinë e madje edhe Ballkanin Perëndimor (Bosnjën dhe Kosovën). Prandaj, çdo ditë e humbur në ndaljen e agresionit rus në Ukrainë është një ditë më shumë që i falet Putinit për ta çuar në fund invadimin e nisur, me shpresën morbide se mund të vazhdojë marshin tjetër pushtues drejt vendeve fqinje e ta ndezë fitilin e luftës në Ballkan.


Ndërkohë, derisa ushtria ukrainase – e udhëhequr nga kreu i shtetit, Zelenskyy – dhe populli i mobilizuar ukrainas po bëjnë rezistencë të fuqishme kundër invadimit rus, vendet perëndimore po ofrojnë përkrahje materiale, ushtarake dhe financiare për Ukrainën. Rusia po përballet me sanksione të fuqishme nga të gjitha vendet e botës demokratike. Por, a mjaftojnë sanksionet ndaj Rusisë dhe ndihma e ofruar – deri tash – për ushtrinë ukrainase?

Duket se jo.

Ato nuk e zmbrapsën Putinin nga vazhdimi i agresionit. Madje, ai u kërkoi vendeve perëndimore që të mos e “ekzagjerojnë situatën” me më shumë sanksione kundër shtetit të tij.

“Nuk kam qëllime të këqija ndaj fqinjëve. Gjithashtu, do t’i këshilloja të mos e përshkallëzojnë situatën, të mos e vendosin asnjë kufizim. I përmbushim të gjitha detyrimet tona dhe do të vazhdojmë t’i përmbushim ato”, ka thënë Putini.

Politikani që ka marrën epitetin e Hitlerit të shekullit XXI po thotë se po i përmbush “detyrimet” e veta – të aneksojë vendet përreth, me qëllim të rikthimit të fuqisë ruse të kohës së komunizmit të Bashkimit Sovjetik. Të njëjtën po e synon edhe në Ballkan, përmes Aleksandar Vuçiqit e Milorad Dodikut – duarve të zgjatura ruse në Serbi e në Bosnje.

Prandaj, nuk është çudi pse agresioni në Ukrainë përkrahjen më të fuqishme e mori nga Serbia me presidentin Aleksandar Vuçiq, i cili haptas deklaroi se nuk do t’i vendosë sanksione Rusisë së Putinit.

Bashkëmendimtari i Vuçiqit, trashëgimtari i Kasapit të Ballkanit, Ivica Daçiq, duke e mbrojtur pozicionin e Serbisë për mos vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, deklaroi se “Serbia nuk mund ta prejë degën në të cilën rri”. Ndërsa – pas ditëve të para të agresionit – kur ka parë se ushtria ruse nuk u prit me lule në Ukrainë, Vuçiqi tha se për tre ditë është plakur më shumë se në 10 vjetët e fundit. U përpoq ta vazhdonte lojën që tash e sa vjet e luan me Perëndimin. Sa herë i kërkohej të lëvizte drejt njohjes së Kosovës, Vuçiqi thoshte se netët po i kalon pa gjumë!

Për më tepër, qëndrimi i kreut të Serbisë dhe i popullit serb pro agresionit rus, u dëshmua në tribunat e stadiumit të Crvena Zvezdës në Beograd, ku tifozët e këtij klubi shpalosën ikonografinë tmerruese të varrezave me ngjyrat e flamurit ukrainas.

Ndërkohë që në Moskë e në Shën Petersburg të Rusisë mijëra qytetarë rusë morën guximin të dalin e të protestojnë kundër agresionit në Ukrainë, në Beograd e në disa qytete të Malit të Zi (me banorë serbë) u bënë marshe në përkrahje të Putinit. Në Moskë e në Shën Petërsburg, policia e Putinit arrestoi protestues, në mesin e të cilëve edhe pleq; ndërkaq, në Beograd, askush nuk doli t’i kundërshtojë pro-rusët që marshonin me foto të Putinit duke shkelur mbi flamurin e BE-së. Ata thërrisnin “Rusi, Rusi”, “Krimea është Rusi”, “Kosova është Serbi” …

Kështu, derisa ushtria e Hitlerit të shekullit XXI e vazhdon invadimin në Ukrainë, në Serbi po ndizet ëndrra për futjen e ushtrisë serbe në Kosovë. Prandaj, Ukraina është beteja e ShBA-së, e NATO-s dhe e BE-së për paqen në Evropë dhe në botë.

Për ta shmangur një skenar më të keq, senatori amerikan nga Karolina e Jugut, Lindsey Graham, ka bërë thirrje për vrasjen e Putinit nga ndonjë i afërt i tij. Përmes një deklarate në rrjetin social Twitter, senatori amerikan pyeti nëse ka ndonjë “Brut” ose ndonjë Shtaufenberg që mund ta vrasë Putinin dhe t’ia japë fundin kësaj lufte. Konsulli romak Mark Bruti e ka vrarë mikun e tij – perandorin Jul Cezar – ndërsa koloneli i ushtrisë gjermane, Klaus von Shtaufenberg njihet për përpjekjen për ta vrarë eprorin e vet, Adolf Hitler.

Shtaufenbergu nuk ia doli, por pas humbjes së Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore, Hitleri e përfundoi jetën me plumb në kokë, nga dora e vet. Por, për dallim nga Hitleri i 30 prillit 1945 që në dorë kishte pistoletën, Hitleri i vitit 2022 në dorën e tij ka butonin e armëve bërthamore.

Gjithmonë jam frikësuar nga qentë. Veçmas kur si fëmijë dëgjova për fqinjin që kishte vrarë qenin e vet. “E vrau se iu çart qeni. Qeni i çartur asht rrezik edhe për familjen që e mban. E, qenin ma mirë me vra vet se me ta vra dikush”, thanë atëherë nëpër oda.

Putini nga gjendja e një qenie agresive paranojake, ka kaluar në gjendje tërbimi.

Bota duhet të shpëtohet nga qeni i tërbuar. Ndaj, më e mira është që … rusët vetë ta heqin qafesh!