Një rast i rëndë është raportuar mbrëmjen e së dielës në Rahovec, ku një person i maskuar dhe i armatosur dyshohet se ka kërcënuar tre persona dhe më pas ka shtënë me armë në drejtim të veturës së tyre.

Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 2 gusht, rreth orës 19:10. Tre burra kosovarë kanë raportuar se, derisa po lëviznin me veturë, kanë vërejtur një pengesë në rrugë.


Pasi kanë dalë nga vetura për ta larguar pengesën, një person i maskuar, i armatosur me armë të gjatë, u është drejtuar atyre dhe i ka kërcënuar, duke u kërkuar para.

“Tre meshkuj kosovarë kanë njoftuar policinë se derisa kanë qenë duke lëvizur me veturë kanë vërejtur një pengesë në rrugë. Pasi kanë dalë nga vetura për ta larguar pengesën një person i maskuar, i armatosur me armë të gjatë u është drejtuar viktimave duke i kërcënuar dhe ka kërkuar para”, thuhet në raportin e Policisë.

Sipas Policisë, tre personat kanë refuzuar t’ia japin paratë dhe janë futur në veturë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

“Viktimat kanë refuzuar dhe kanë hyrë në veturë dhe pasi kanë filluar lëvizjen, në drejtim të veturës së tyre i dyshuari ka shtënë me armë, ku e ka qëlluar veturën në rrotën e pasme”, thuhet më tej në raport.

Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa pas konsultimit me prokurorin është iniciuar rasti për veprën përkatëse penale.

Policia nuk ka dhënë detaje nëse i dyshuari është identifikuar apo arrestuar. /Telegrafi/