Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një (1) muaji të pandehurit O. B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “vrasje në tentativë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas kërkesës së prokurorisë, rasti ka ndodhur më 2 maj 2026, rreth orës 14:25, në terasën e lokalit “S.” në Gjakovë, ku i pandehuri, pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme, dyshohet se ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin A. D..


Në kërkesë thuhet se fillimisht O. B. e ka sulmuar fizikisht të dëmtuarin, duke e goditur me shqelm në gjoks, ndërsa më pas, kur i dëmtuari është përpjekur të largohet, i pandehuri dyshohet se ka nxjerrë një pistoletë dhe ka shtënë një herë në drejtim të tij. Po ashtu, sipas prokurorisë, ai e ka goditur të dëmtuarin me kokë, duke i shkaktuar lëndime.

I dëmtuari është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa i pandehuri, sipas prokurorisë, është larguar nga vendi i ngjarjes. Policia, ndërkohë, ka sekuestruar armën dhe një thikë.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Driton Sadiku, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.

Me këtë vendim, O. B. do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një (1) muaji, periudhë kjo që do të llogaritet nga data e arrestimit 2 maj 2026 deri më 1 qershor 2026.

Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Telegrafi/