Një person i privuar nga liria ka tentuar të arratiset nga Stacioni Policor në Rahovec, por është arrestuar sërish pas ndërhyrjes së shpejtë të policisë.

Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 21:00, i dyshuari, mashkull kosovar, i cili ndodhej në dhomat e ndalimit, ka përdorur forcë për të hapur derën e dhomës dhe ka dalë nga objekti i stacionit policor me qëllim arratisjeje.


Patrullat policore kanë reaguar menjëherë dhe kanë arritur ta arrestojnë të dyshuarin, duke e kthyer atë sërish në Stacionin Policor të Rahovecit, përcjell Telegrafi.

Pas arrestimit, i dyshuari është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa pas përfundimit të tretmanit është rikthyer në dhomat e ndalimit.

Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar. /Telegrafi/