Temperaturat e larta rrisin rrezikun nga zjarret, Policia e Ferizajt del me apel për qytetarët

Policia Rajonale e Ferizajt u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi maksimale për parandalimin e zjarreve, veçanërisht gjatë ditëve me temperatura të larta dhe kushte të favorshme për përhapjen e tyre.
Sipas njoftimit të Policisë, çdo zjarr qoftë i shkaktuar me dashje apo nga pakujdesia mund të rrezikojë jetën e njerëzve, të shkaktojë dëme të mëdha materiale dhe të dëmtojë rëndë mjedisin.
Policia apelon që të shmanget djegia e mbeturinave barit të thatë, sipërfaqeve bujqësore dhe pyjore, si dhe çdo veprim tjetër që mund të shkaktojë zjarr.
Tutje në njoftim thuhet se Policia Rajonale e Ferizajt do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore ndaj çdo personi që shkakton zjarr, qoftë me dashje apo nga neglizhenca.
Ndërsa, qytetarët ftohen të bashkëpunojnë me policinë duke raportuar çdo rast të dyshuar të zjarrvënies ose çdo situatë që mund të paraqesë rrezik.
"Së bashku mund të mbrojmë jetën, pronën dhe mjedisin tonë", thuhet në apelin e Policisë Rajonale të Ferizajt. /Telegrafi/


































