Temperatura e ngritur në pjesë të caktuara të fytyrës shoqërohet me dy sëmundje të zakonshme kronike

Temperatura e hundës ulet me kalimin e moshës, ndërsa temperatura rreth syve rritet, veçanërisht te njerëzit me çrregullime metabolike
Njerëzit me çrregullime metabolike si diabeti dhe mëlçia e yndyrshme kanë temperaturë më të lartë rreth syve sesa bashkëmoshatarët e tyre të shëndetshëm.
Temperatura e ngritur në pjesë të caktuara të fytyrës mund të shoqërohet me sëmundje të ndryshme kronike, si diabeti dhe presioni i lartë i gjakut, zbuluan shkencëtarët.
Një grup studiuesish nga Kina studiuan se çfarë zbulon fytyra e njeriut dhe si ndryshon temperatura në zonën e fytyrës kur ne plakemi - termi që ata përdorën është plakja termike. Më pas ata kombinuan të dhënat me inteligjencën artificiale dhe dolën me rezultate të papritura që tregojnë se si edhe një rritje e lehtë e temperaturës në pjesë të fytyrës mund të tregojë zhvillimin e një sëmundjeje.
Inteligjenca artificiale i ndihmoi studiuesit
Siç thonë ata, një individ nuk mund të regjistrojë ndryshime delikate në temperaturën e hundës ose të faqeve, ndaj përdorën inteligjencën artificiale, e cila përfshin përdorimin e një kamere termike dhe disponueshmërinë e të dhënave përkatëse.
Rezultatet u shfaqën në revistën Cell Metabolism dhe janë planifikuar kërkime të mëtejshme që duhet të lehtësojnë procedurat diagnostike jo-invazive, shkruan ScienceDaily, përcjell Telegrafi.
- Plakja është një proces i natyrshëm. Dhe zbulimi ka potencialin për të nxitur plakjen e shëndetshme dhe për të ndihmuar njerëzit të jetojnë pa sëmundje - krijuesit e këtij hulumtimi janë optimistë.
Ajo që u jep atyre mbështetje për optimizëm është hulumtimi i tyre i mëparshëm, si dhe ky i fundit.
Në hulumtimet e mëparshme, ky ekip përdori strukturën 3D të fytyrës për të parashikuar moshën biologjike të njerëzve, e cila në fakt tregon se si plaket trupi. Mosha biologjike është e lidhur ngushtë me rrezikun e sëmundjeve, si sëmundjet malinje dhe diabeti.
Çfarë tregon temperatura në fytyrë?
Më pas ata ishin kuriozë të zbulonin se çfarë tjetër mund t'u zbulonte fytyra e një personi. Ata pyesnin veten nëse temperatura e fytyrës mund t'u tregonte gjithashtu se sa shpejt një person po plaket dhe çfarë statusi i tyre shëndetësor është.
Kjo është arsyeja pse ata analizuan temperaturat e fytyrës së 2,800 pjesëmarrësve nga Kina, nga mosha 21 deri në 88 vjeç. Më pas përdorën atë informacion për të trajnuar modele të AI (inteligjencës artificiale) për të parashikuar moshën termike të një personi.
Ata identifikuan disa zona kyçe të fytyrës ku lidhja midis temperaturës dhe plakjes dhe shëndetit mund të shihet më saktë.
Rajonet kryesore ishin: hunda, sytë, faqet.
Siç thonë ata, temperatura e hundës ulet me kalimin e viteve më shpejt se në pjesët e tjera të fytyrës. Kjo do të thotë që njerëzit me hundë më të ngrohtë kanë më pak vite termike.
Në të njëjtën kohë, temperatura rreth syve rritet me moshën.
Presion më i lartë - faqe më të ngrohta
Ata vunë re gjithashtu se njerëzit me çrregullime metabolike si diabeti dhe mëlçia e yndyrshme kishin një temperaturë më të lartë rreth syve sesa bashkëmoshatarët e tyre të shëndetshëm.
Personat me presion të lartë të gjakut kishin temperaturë më të lartë në faqe.
Kur analizuan mostrat e gjakut të pjesëmarrësve, zbuluan se rritja e temperaturës rreth syve dhe faqeve ishte kryesisht për shkak të rritjes së aktivitetit të qelizave të lidhura me inflamacionin, si riparimi i ADN-së së dëmtuar dhe luftimi i infeksionit. Rritja e këtyre aktiviteteve çoi në një rritje të temperaturës në pjesë të caktuara të fytyrës.
Ata gjithashtu donin të kontrollonin nëse aktiviteti fizik do të ndikonte në plakjen termike. Ata u kërkuan pjesëmarrësve, 23 prej tyre, të hidheshin me litar të paktën 800 herë në ditë për dy javë. Ata u befasuan kur panë se këta njerëz e reduktuan moshën e tyre me 5 vjet pas vetëm dy javësh stërvitje.
Tani ata duan të zbulojnë nëse mund të përdorin të njëjtën teknologji për të parashikuar sëmundje të tjera si çrregullimet e gjumit dhe problemet kardiovaskulare.
- Shpresojmë të prezantojmë ekzaminimin termik të fytyrës në klinika, sepse ka shumë potencial kur bëhet fjalë për diagnostikimin dhe parandalimin e hershëm - përfundojnë studiuesit. /Telegrafi/


















































