Të buzëqeshur në fytyrë dhe me shumë dashuri ata prisnin këdo që hynte në ekspozitën e tyre të quajtur “Bukuritë përmes fotografisë”, i cila u mbajt të hënën mbrëma në Muzeun Kombëtar.

Janë këta të rinjtë e shoqatës “Down Syndrome Kosova”, të cilët në formë mirëseardhje gostitnin  mysafirët me ëmbëlsirat që kishin përgatitur në ekspozitën e tyre.

Dhjetë të rinjtë për gjashtë muaj rresht kanë marr pjesë në projektin e organizatës ”Plus”, drejtor i të cilit është fotoreporteri i mirënjohur Ridvan Slivova, e financuar nga Ambasada e Çekisë në Kosovë.

Slivova i ka mësuar këta të rinj se si të paraqesin në mënyrë vizuale pamjen e mrekullueshme të natyrës dhe gjësendeve tjera përreth, përmes fotografisë.

Në fjalimin e  mirëseardhjes fotoreporteri Slivova tha se është i kënaqur me veprat e këtyre të rinjve, dhe sipas tij ata jo vetëm që ishin punëtor, por kanë treguar edhe kreativitet në punën e tyre.

“Gjashtë muaj punë. Jam i kënaqur për veprat që ata kanë bërë. Përpos që janë të sjellshëm ata kanë qenë dhe shumë kreativ”, u shpreh Slivova i emocionuar.

Derisa të rinjtë ishin tejet të entuziazmuar nga mysafirët që ishin të pranishëm, ata po ashtu mundoheshin që të shpjegonin punimet e tyre edhe për ata që tregonin interesim për t’i blerë.

Teksa një djalë bënte shpjegimin e punimit të tij, aty pranë një vajzë qeshte dhe sikur donte të thoshte “Shikoni, kam fotografuar natyrën, bukurinë që simbolizon jetën”.

Dhe kështu të pranishmit në këtë ekspozitë shikon qetë fotografitë të cilat ishin vendosur në mure me shumë delikates nga të rinjtë.

Fotoreporteri Slivova ishte munduar që fotografitë e të rinjve t’i paraqiste në mënyrë unike, duke i vendosur ato në dru dhe në gurë.

Këtë ekspozitë të të rinjve nuk e la pa e komentuar edhe ambasadori i Çekisë në Kosovës, Ivo Šilhavý.

Ai shprehu gjithë kënaqësinë e tij për punimet e kryera me sukses nga të rinjtë e shoqatës “Down Syndrome Kosova”.

“Jam i kënaqur dhe i lumtur që jam këtu. I lumtur që patëm mundësinë të mbështesim këtë projekt. Jam tepër i impresionuar me punën e këtyre dhjetë të rinjve”, ka thënë Šilhavý para të rinjve dhe mysafirëve që e bën më madhështore këtë ekspozitë.

Po ashtu edhe drejtoresha e shoqatës “Down Syndrome Kosova”, Sebahate Beqiri, tregoi kënaqësinë e saj për finalizimin e projektit, me hapjen  e ekspozitës.

Ajo po ashtu tregoi një pakënaqësi që kishte kapluar tek shoqata “Down Syndrome Kosova”, ditëve të fundit.

“Sindromi Down nuk është sëmundje ngjitëse, e them këtë pasi jemi të irrituar nga një tekst i librit shkollor që e definon si të tillë”, tha Beqiri.

Të rinjve të shoqatës “Down Sindrome Kosova”, u shpërblyen me certifikata dhe nga një aparat fotografik për gjithë përvojën që kishin marrë për gjashtë muaj rresht me trajnerin e tyre, fotoreporterin Ridvan Slivova. /Telegrafi/