eksperti-banner

Kohëve të fundit është intensifikuar debati i gjerë publik i cili një kohë të gjatë është duke u zhvilluar lidhur me televizionin publik të Kosovës. Zakonisht, televizionet më të suksesshme me shikueshmëri në botë përfolen nga publiku në kontekstin pozitiv. Ato merren si shembuj të zhvillimit të gazetarisë dhe industrisë televizive në përgjithësi. Në Kosovë ndodh e kundërta. Të jesh kampion me shikueshmëri televizive në Kosovë nuk paraqet një privilegj por sfidë. Përpos synimit themelor, atë të zhvillimit dhe ruajtjes e forcimit të epërsisë në garën e shikueshmërisë, televizioni publik i Kosovës është duke u ballafaquar edhe me sfida të nduarnduarshme nga grupe të ndryshme të interesit.

Militantët partiakë të pakënaqur me RTK-në


Akuza më e shpeshtë që dëgjohet nga militantët e politikës është njëanshmëria editoriale e RTK-së në favor të ndonjë partie politike. Një akuzë e këtillë vie si nga opozita ashtu edhe nga pozita. Ky fakt të len të kuptosh se RTK-ja nuk është duke i kënaqur apetitet maksimaliste të militantëve partiakë në Kosovë. Kjo distancë e RTK-së karshi kërkesave të politikës, RTK-së po i kushton me sulme si nga partitë opozitare ashtu edhe nga ato në pushtet. Deputetët opozitarë kërcënojnë në Kuvend me propozime për futje të masave të dhunshme në RTK madje edhe burg, kurse ata të pozitës me ndërprerjen e burimeve të financimit të RTK-së. Që të dy palët kanë aktivistët e tyre brenda RTK-së të cilët duke kryer shërbime për bosat e tyre partiakë arrijnë të mbijetojnë përkundër aftësive të tyre të kufizuara profesionale. Mënyra e vetme për RTK-në që t’i përballojë një presioni të këtillë politik që është duke zgjatur me vite është paanshmëria editoriale, e cila duhet ta ketë për bazë një sistem të qëndrueshëm dhe afatgjatë të financimit.

Nuk kritikojnë vetëm të fortët

Armatës së “të mëdhenjve dhe të fortëve” i është kapur për bishti edhe një çun i lazdruar, respektivisht një adoleshent 50-vjeçar. Rrethanat anarkiste të pasluftës e kishin përplasur këtë djalosh flokëthinjur aksidentalisht në karrigen e drejtorit të televizionit publik, dhe që nga ky incident Migjeni është shndërruar në një mësues popullor edhe për media. Derisa televizionet tjera private në Kosovë përqendrohen në zhvillim dhe në përmirësimin e rezultateve të tyre të shikueshmërisë, “specialisti universal” në fjalë vazhdon t’i maltretojë me thashetheme të ndryshme rreth RTK-së edhe ata pak shikues që duke kërkuar kanalet e shumta televizive ndalen për disa çaste për të shikuar “televizionin” e tij.

Kosova – vend i rrallë ku televizioni publik është lider në shikueshmëri

Kosova është një vend i rrallë në botë, e sidomos në vendet në tranzicion, ku televizioni publik është më i shikuar sesa televizionet komerciale. Në shumicën e vendeve evropiane, televizionet publike përkundër buxheteve optimale të garantuara nga një qëndrueshmëri afatgjate financiare, nuk arrijnë dot të jenë të parat me shikueshmëri në vendet e tyre. Ato renditen të dytat dhe të tretat me shikueshmëri pas televizioneve private. Kështu, për shembull në Maqedoni prin Televizioni privat A1, në Turqi Kanal D, në Serbi TV Pink, në Shqipëri TV Klani dhe TOP Channel, në Gjermani kanali RTL e kështu me radhë.

Në treg të hapur medial me obligime ligjore shtesë

Epërsia e televizionit publik karshi atyre komerciale në Kosovë mund të ishte edhe më e madhe sikur RTK-ja të mos ishte e ngarkuar nga obligimet e ndryshme ligjore që parashihen për një televizion publik në një shtet multietnik siç është Kosova. Këtu përfshihen edicionet ditore të lajmeve dhe magazinat javore në gjuhët e komuniteteve pakicë në Kosovë, të cilat marrin mesatarisht dy orë në ditë të skemës programore. Pos këtij faktori, në zbutjen e epërsisë së RTK-së ndikojnë edhe ndërhyrjet në skemën programore që bëhen për shkak të transmetimit të obligueshëm të seancave maratonike dhe shpeshherë të mërzitshme e nganjëherë dëfryese të Kuvendit të Kosovës.

Sakrifikimi i një rezultati më të mirë të shikueshmërisë për hir të vlerave të mirëfillta

Rezultatet e sondazheve të pavarura të shikueshmërisë televizive të zhvilluara deri më tash, tregojnë se shikuesit në Kosovë parapëlqejnë lajmet, emisionet argëtuese, serialet vendore e latino-amerikane dhe ndeshjet futbollistike. Këto rezultate dëshmojnë se pikërisht në këto pika programore, pos në seriale latino-amerikane, RTK-ja është bindshëm më e shikuar sesa televizionet tjera në Kosovë. Rezultatet e sondazhit të fundit të shikueshmërisë e të cilat janë pranuar nga të gjitha televizionet me frekuenca nacionale në Kosovë, tregojnë së në mesin e 10 emisioneve më të shikuara në Kosovë, 7 prej tyre janë të RTK-së. Në maje të kësaj topliste gjenden lajmet qendrore të RTK-së dhe serialet vendore “Familja moderne” e “Kafeneja jonë”. Për hir të ruajtjes së vlerave programore, që nga viti 2002 kur në krye të RTK erdhi menaxhmenti vendor, ky televizion ka sakrifikuar një rezultat edhe më të mirë të shikueshmërisë së vet, madje edhe të hyra të mira nga marketingu, duke ndërprerë transmetimin e serialeve latino-amerikane. Kur jemi te këto seriale, vlen të ceket se pikërisht ato janë faktori kryesor që ngrisin mesataren e shikueshmërisë dhe buxhetet e sidomos disa televizioneve private në Kosovë.

RTK-ja - ndër të parat institucione të Kosovës pjesëmarrëse në arenën ndërkombëtare

Disa deputetë të zhurmshëm të Kuvendit të Kosovës me vite të tëra “mundohen” të hartojnë ligje që sjellin drejtësi dhe mirëqenie për popullin që i ka zgjedhur, dhe i tërë rezultati që ata e arrijnë me koncenzus pozitë-opozitë janë benificionet marramendëse për veten dhe familjarët e tyre. Në të njëjtën kohë, udhëheqja “e skaduar” e RTK-së ka arritur që në bashkëpunim me partnerët e vet ndërkombëtar, pa ndihmën e institucioneve apo të lobistëve, të sigurojë pjesëmarrje të RTK-së në organizata ndërkombëtare dhe të hartojë dhe implementojë rregullativa të bazuara në standardet më bashkëkohore ndërkombëtare të cilat mundësojnë një organizim të standardizuar të RTK-së dhe definojnë qartë të drejtat dhe përgjegjësitë e secilit të punësuar në këtë shtëpi informative.

Solidariteti selektiv i klasës politike dhe një pjese të shoqërisë civile

RTK-ja është e ballafaquar edhe me kërkesat e vazhdueshme të një numri të caktuar të ish punëtorëve të RTP-së për tu punësuar në RTK. Segmente nga politika dhe shoqëria civile jo rrallë herë janë “solidarizuar” me këta ish punëtorë të RTP-së duke kritikuar objektin kujdestar të sulmeve – RTK-në. Do të ishte për lakmi një solidarizim i këtillë, por i sinqertë, edhe për ish të punësuarit e ndërmarrjeve tashmë të privatizuara në Kosovë shumica dërmuese e të cilëve kanë mbetur të papunë. Për ironi, akuzat ndaj RTK-së nuk janë ndalur as atëherë, kur kjo e fundit ka marrë në konsideratë përvojën disavjeçare të ish punëtorëve të RTP-së apo familjarët e tyre dhe të njëjtëve u ka dhënë përparësi ndaj kandidatëve të tjerë me sukses të njëjtë në konkurse. Vlen të ceket se RTK-ja është i vetmi institucion në Kosovë që, me masa konkrete dhe jo me premtime demagogjike, ka ndihmuar ish të punësuarit e RTP-së. Të tjerët, solidaritetin e tyre e kanë filluar dhe mbaruar vetëm me fjalë të kota.

Vetëm Kuvendi i Kosovës zgjedh Bordin e RTK-së

Bordi dhe menaxhmenti i RTK-së me të vërtetë është një ekip i cili ekziston një kohë të gjatë. Ligjvënësit e Kosovës, duke u marrë me vetveten, kanë dështuar që të përkujdesen që udhëheqjes së RTK-së të mos i skadojë afati. Për këtë dështim të tyre, ata kanë vendosur që të mbrohen me sulm. Përkundër kritikave deklarative të partive politike se RTK-ja po favorizon vetëm kundërshtarët e tyre politikë, ata me pamundësinë e zgjedhjes së një udhëheqje të re në RTK në heshtje sikur e pranojnë se Bordi dhe menaxhmenti aktual i RTK-së megjithatë është një ekip koncesual në aspektin politik dhe i suksesshëm në atë profesional.

Televizioni publik duhet të vazhdojë të jetë i orientuar vetëm kah audienca

Përkundër të gjitha kritikave, themeluesit e RTK-së e kanë pranuar se as tre vjet pas skadimit të mandatit të udhëheqjes aktuale të RTK-së nuk kanë arritur të gjejnë më të mirë. Edhe publiku, në anën tjetër është deklaruar përmes sondazheve të pavarura se e preferon televizionin publik më shumë se televizionet tjera. Nëse mund të thuhet se presioni politik nga të gjitha kampet politike ka ndikuar në ruajtjen e paanshmërisë së RTK-së, atëherë besnikëria e audiencës së RTK-së duhet të dëshmohet edhe në forma konkrete. Në këtë mënyrë RTK-së do t'i hapeshin udhët për realizimin e misionit të vet duke e forcuar edhe më shumë lidhjen e komunikimin interaktiv me aleatin e vet më të besueshëm dhe te vetëm – audiencën. Stafi profesionist i RTK-së duhet të vazhdojë të jetë i hapur për kritikat dhe kërkesat e audiencës dhe bazuar në këtë linjë të përhershme të komunikimit të prodhojë program të mirëfilltë televiziv.

Vonë për kthim prapa të RTK-së

Udhëheqja e RTK-së mund të duket si diçka e lakmueshme për t’u rrëmbyer nga ana e njerëze të politikës, mirëpo një gjë duhet ta kenë të qartë të gjithë ata ithtarë të sundimit politik përmes masave represive, se koha për një gjë të tillë në RTK tani ka kaluar. Në këtë institucion publik, faza e tranzicionit është duke mbaruar dhe bazuar në një partneritet menaxhment-punëtorë tashmë është hartuar dhe implementohet rregullativa që definon qartë të gjitha përgjegjësitë, obligimet dhe të drejtat e secilit të punësuar. Gjithashtu, në RTK si askund tjetër në Kosovë, është në implementim kontrata kolektive e nënshkruar në mes të menaxhmentit dhe sindikatës së punëtorëve. RTK-ja është mediumi i vetëm në Kosovë që ka organizatë të pavarur sindikale të punëtorëve të vet. Me gjitha këto garanci të lartpërmendura, gjeneratat e reja të punëtorëve në këtë televizion nuk dijnë për nënshtrim ndaj represionit dhe diktatit, pasi janë mësuar që të punojnë në një ambient të lirë e demokratik me diversitet kulturor, ideologjik, fetar, etnik e shoqëror. Të mos flasim për punonjësit më të vjetër të cilët ndonëse represionin e kanë përjetuar në lëkurën e tyre, kurrë nuk e kanë pranuar nënshtrimin. Çdo përpjekje regresive për të kthyer kohën e paratranzicionit në RTK do të dështojë qysh në fillim për shkak se një tendencë e tillë e imponimit do të hasë në një rezistencë të vendosur dhe të arsyeshme në mesin e të gjithë punëtorëve të ndershëm dhe profesionistë të kësaj shtëpie informative. Të tillët përbëjnë shumicën dërrmuese të RTK-së.

hysenhundozi@yahoo.com