LAJMI I FUNDIT:

Të paklasët

Të paklasët

Nga: Aurel Plasari

Ernst Glaeser (1902-1963) është një autor gjerman pothuajse i harruar, por i njohur si ndër figurat e mëdha të opozitës demokratike gjermane ndaj nazizmit në ngritje e sipër. I botuar më 1928, romani i tij më së shumti autobiografik “Jahrgang 1902” (“Brezi 1902” ose “Klasa 22”), tregon nga këndvështrimi i një adoleshenti dramën e Luftës së Parë Botërore. Si i tillë, në kohën e vet fitoi famë edhe më shumë se një Erich Maria Remarque me “Asgjë të re nga fronti i Perëndimit” etj. I lexuar tani, bën përshtypje përshkrimi i tij i shpërbërjes së shoqërisë gjermane në kohë krize dhe, veçan, i çorientimit të rinisë gjermane që nuk gjente dot fillin në kaosin e krizës. Pos anës letrare, tërheq vëmendje një koncept i tiji origjinal, social dhe politik, në përkufizimin e një kategorie social-politike të cilën e ka emërtuar “të paklasët” si vijon:

“Njeriu që, për shkak të një lufte, e ka humbur besimin në idetë e edukimit të tij; njeriu që nuk beson më në asnjë formulë; njeriu që një ditë ka luftuar më kot për ideale; njeriu që, prandaj, nuk pranon t’i brendashkruhet një programi, një teorie; njeriu që mbahet në mënyrë të vetëdijshme larg çdo intepretimi të jetës. Partitë i quajnë këta njerëz masa e madhe e abstenuesve; ne i quajmë masa e madhe e të pashpresëve. Pikërisht ky lloj njeriu ka rëndësi sot, sepse llogaritet me miliona. Ai është enigma e madhe mes popullit. Ai përbën një shtresë të madhe anarkike, të cilën askush nuk e mbron, as ndonjë doktrinë universale, as ndonjë program. Ai është i paqëndrueshëm, është lënda e parë e kohës sonë. Ai është i paklasi. Ata janë të  paklasët…”.

Koncepti më duket përnjëmend origjinal, duke qenë fjala për një kontingjent që nuk është as “proletariat”, as “borgjezi e vogël”, ndërsa ndodhet në mjedis të tyre. Trajtimi i tij në art, afërmendsh, ka të bëjë me një metodë natyraliste. Ndërsa nga pikëpamjet sociale dhe politike nuk mund të mohohet që koncepti përcakton dramën e një mase të tërë të pashpresë brenda së cilës lëviz individi me “shpirt centrifugal” – po e quaj unë – pa asnjë synim të qartë në jetë.