LAJMI I FUNDIT:

Të ndihesh ukrainas

Të ndihesh ukrainas
Ilustrim

Sanksionet e deritanishme ndaj Rusisë nuk e kanë bërë Vladimir Putinin të tërhiqet nga planet e tij kundër Ukrainës. Kredibiliteti ndaj diplomacisë për ta ndalur këtë agresion duket tepër i dobët, pavarësisht ngjyrave që merr. Vështirë të flitet tani për tani për një marrëveshje paqeje përmes kanaleve diplomatike, megjithë përpjekjet edhe gjatë këtyre ditëve, si ato të presidentit turk, Erdogan, në bisedën e djeshme me kreun rus për organizimin e një takimi në Ankara midis Moskës dhe Kievit.

Liderë të vendeve të ndryshme, me sa duket, janë ndjerë të pafuqishëm përballë asaj që po ndodh me Ukrainën prej mbi dy muajsh. Fjalët e thëna në fillim të agresionit rus nga Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, që “të jesh lider i botës, do të thotë të jesh udhëheqës i paqes”, po provohet edhe gjatë kësaj kohe kur ukrainasit janë të vendosur të mbrojnë vendin e vetë përballë pushtuesve rusë.


Jeta e tyre është vënë në dispozicion të atdheut, prandaj dhe popuj të globit mbështetin të ndërgjegjshëm Ukrainën. Duket që, gjithnjë e më shumë, kjo po i bën ata të ndihen ukrainas. Të ndihesh realisht ukrainas në këtë situatë, nuk është pak. Sidomos kur kjo ndikon drejtpërdrejt te qeveritë, liderët, popujt e vendeve të ndryshme, për t’u përfshirë domosdoshmërisht kundër agresioneve të tilla, që në Ukrainë nisi tetë vite më parë, në vitin 2014, kur forcat ruse u përqendruan në Krime, duke kurorëzuar aneksimin e saj.

Tani, krimet e tmerrshme në Buça, Mariupol e zona të tjera flasin vetë. Synimi ka qenë për pushtimin e gjithë Ukrainës, zbehur kjo disi nga humbjet e paparashikuara të Rusisë. Në pamundësi të kësaj kërkohet të vihet plotësisht nën kontroll Ukraina Jugore dhe rajoni lindor i Donbasit. Ekziston gjithashtu droja se Rusia mund të vërë në përdorim armët bërthamore. Sakaq, paralelisht me këtë, matanë frontit të luftës, vihet re dhe dukuria tjetër: Gjatë kësaj periudhe, urrejtja e ka çuar agresorin të bëjë gjithçka edhe në zhdukjen e çdo gjurme ukrainase në Rusi.

Duke u ndjerë ukrainas, në fund të fundit i shërben mbrojtjes së vendit tënd, por dhe në tërësi, mbrojtjes kolektive. Është edhe kjo që e ka bërë Perëndimin më unik, pavarësisht disa oscilacioneve. Vështirë të gjesh tashmë mëdyshje ndaj asaj çka po ndodh me sulmet ruse, me qëndrimet e konsoliduara dhe stoike të ukrainasve dhe as në mbetjen thjesht në botën virtuale, por duke i konkretizuar në realitetin e ngjarjeve të përditshme. Në këtë mënyrë, ranë dhe mitet e kalbëzyer të ndonjërit për madhështinë e fuqisë ruse në fushën ushtarake.

Por, ngado që të shkosh, përsëri i kthehesh ndjeshmërisë, rezistencës shembullore të ukrainasve me lidershipin në ballë për ta bërë të ndërgjegjshme botën, se ç’mund të bëjë një popull, të cilit i vriten bijat dhe bijtë e tij ballazi në luftime për lirinë apo që trupa të njerëzve të pafajshëm të gjenden nën rrënoja e varreza masive. Për rusët, siç pohoi këto ditë për CNN, Volodymyr Zelensky, “jetët e njerëzve nuk vlejnë asgjë. Dhe ky nuk është një problem vetëm për Ukrainën, por për të gjithë botën”.

Ndryshe nuk mund të shpjegohet gjithashtu kthesa e disa vendeve. Madje, edhe e atyre liderëve europianë, të njohur si miq të ngushtë të Vladimir Putinit, në mbështetje konkrete të Ukrainës dhe jo vetëm thjesht në dënimin e agresorëve rusë. Sikurse kërkesa e disa vendeve jo anëtare të NATO-s për të qenë pjesëtarë të saj, me të drejtën “për të bërë rregullimet e veta të sigurisë”, nga kjo “thirrje zgjimi”, siç e quajnë këtë luftë vetë liderët e këtyre vendeve, qofshin, në rastin konkret, finlandezë, suedezë etj.

Kështu, izolimi dhe më tej i Rusisë bëhet i domosdoshëm. Pritet që këto ditë Bashkimi Evropian të shpallë paketën e re të sanksioneve. Është e vërtetë që, në mënyrë të ndjeshme janë ulur importet e vendeve të BE-së nga energjia ruse, por këto sanksione, siç thamë, kërkohet të forcohen. Kjo, edhe për faktin që skenarë të tillë, pa u ndalur në rastet tashmë të njohura, Rusia është e gatshme t’i shtrijë dhe më tej apo duke provokuar konflikte të tjera. Fjala është për të mos mbetur në masa gjysmake, sikurse kritikoi me të drejtë dy ditë më parë kryediplomati i Ukrainës – disa liderë botërorë, me qëllim që në embargon ndaj naftës ruse “me gjak ukrainas” të përfshihen plotësisht të gjitha vendet.