Analisti politik nga Prishtina, Visar Ymeri, beson se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, do të “zmbrapset” nga vendimi për heqjen e dinarit serb nga qarkullimi, nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare.
Megjithatë, thotë ai, këtë “nuk do ta bëjë në mënyrë të dukshme për publikun”, sepse, sipas tij, “ai do që ta krijojë imazhin e një qeverie që i lufton të gjitha strukturat paralele të Serbisë”.
Por, sipas politologut nga Beogradi, Ognjen Gogiq, Kurti, deri më tani, ka treguar se u “reziston” presioneve të ndërkombëtarëve, dhe praktika e tillë do të vazhdojë.
Këtë javë, në Prishtinë po qëndron i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili, në prag të mbërritjes, tha se në fokus të vizitës do të ketë “një zgjidhje të mundshme për vendimin e pakoordinuar për të ndaluar dinarin serb”.
REL-i kërkoi koment nga Qeveria e Kosovës për këto deklarata, por nuk mori përgjigje.
Emisari amerikan takoi të mërkurën presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ndërsa pritet që me shefin e ekzekutivit kosovar, Kurti, të takohet më 14 mars.
Më 1 shkurt, Banka Qendrore e Kosovës fuqizoi një rregullore, e cila e përcaktoi euron si valutë të vetme për pagesa me para të gatshme në Kosovë.
Rregullorja, rrjedhimisht, ndaloi përdorimin e dinarit, valutë në të cilën komuniteti serb në Kosovë pranon pagesa të ndryshme nga Serbia – nisur nga pagat e pensionet e deri te shtesat për fëmijë.
Rregullorja shkaktoi zemërim në mesin e serbëve, por edhe te bashkësia ndërkombëtare.
Kjo e fundit kërkoi pezullimin e saj, derisa qytetarët e prekur të përshtaten me praktikën e re.
Autoritetet në Kosovë, deri më tash, nuk treguan shenja të zmbrapsjes. BQK-ja tha vetëm se do të ketë një periudhë tranzicioni për zbatimin e saj, por jo më gjatë se tre muaj.
Ymeri: Zgjidhja për dinarin është te draft-statuti për Asociacionin
Visar Ymeri, drejtor ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari” në Prishtinë, thotë se çështja e dinarit mund të zgjidhet me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai kujton se Kosova e ka pranuar një draft-statut për këtë asociacion, të hartuar nga bashkësia ndërkombëtare, ku përmendet se qarkullimi i parave do të bëhet përmes Bankës Qendrore të Kosovës.
Pikërisht kjo pjesë e statutit, sipas Ymerit, “do të ishte zgjidhje për këtë çështje”.
Ai shton se rregullorja e BQK-së ka krijuar vetëm “probleme shtesë”, sepse po tentohet, sipas tij, që çështja të zgjidhet pa formimin e Asociacionit.
Gogiq: Zgjidhja e vetme është një marrëveshje në kuadër të dialogut
Politologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq, beson se Escobar nuk po qëndron në Kosovë për të gjetur një zgjidhje, por për ta bindur kryeministrin Kurti që këtë çështje ta diskutojë në kuadër të dialogut politik me Serbinë.
Kosova këmbëngul se heqja e dinarit është “çështje teknike” dhe se nuk duhet të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por Serbia kërkon zgjidhje politike.
Gogiq thotë se një zgjidhje mund të jetë që banka e Serbisë, Kursimorja e Postës, të marrë një licencë në Kosovë, në mënyrë që t’u mundësojë klientëve të saj hapjen e llogarive dhe konvertimin e dinarëve në euro.
Por, për një gjë të tillë, thotë ai, është e nevojshme një marrëveshje mes dy palëve.
“Nuk është se nuk ka zgjidhje, por Prishtina ka sjellë gjithçka para aktit të kryer. Tani pritet që dikush të përshtatet, duke mos kuptuar se [zbatimi i rregullores së BQK-së] nuk është i mundshëm pa gjetur zgjidhje”, thotë Gogiq.
Kursimorja e Postës nga Serbia është e vetmja në Kosovë që operon me dinarë.
Ajo ka degë në katër komunat me shumicë serbe në veri – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – ndërsa në jug ka vetëm bankomate.
Për shkak të mungesës së dinarëve në Kosovë, Kursimorja e Postës ngriti së voni disa degë të improvizuara në afërsi të katër pikave kufitare me Kosovën: Jarinjë, Bërnjak, Konçul dhe Merdar.
A do të ketë pasoja nëse Kurti nuk lëshon pe?
Ymeri thotë se në qarqet diplomatike thuhet shpesh se “Kosova nuk po e mban zotimin përmes të cilit është shpallur e pavarur, e që është marrëdhënia me komunitetet”.
Kritikat në këtë pikë e dëmtojnë Kosovën, thotë ai.
“Kosova është e varur për sigurinë e vet nga Perëndimi. Kosova është e varur për subjektivitetin e vet ndërkombëtar nga Perëndimi. Dhe këta partnerë perëndimorë shihet qartazi se nuk do ta kenë vullnetin dhe entuziazmin ta ndihmojnë Kosovën, veçanërisht jo në subjektivizimin ndërkombëtar, nëse Kosova ka këso qasjeje”, thotë Ymeri.
Disa diplomatë perëndimorë, përfshirë ndihmësin e sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, kanë thënë tashmë se vendimi që ndalon dinarin serb, ka ndikuar në cilësinë e marrëdhënieve të Kosovës me SHBA-në.
Gogiq, në anën tjetër, thotë se nëse vendet perëndimore vërtet duan të bëjnë presion mbi Kosovën, Banka Qendrore Evropiane duhet ta ngrejë çështjen e përdorimit të euros në Kosovë.
“Kjo është, ndoshta, e vetmja gjë që mund të çojë në ndryshimin e qëndrimit në Prishtinë”, thotë Gogiq.
Kosova nuk ka një ligj të veçantë që e përcakton përdorimin e monedhës kombëtare, por ka një rregullore që e mundëson përdorimin e euros.
Kushtetuta e Kosovës parasheh që si mjet pagese të përdoret një monedhë e vetme, por nuk specifikon se cila. /REL/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga qershori Aeroportit të Prishtinës i shtohet edhe një linjë e re fluturimi
Një epokë e re e transformimit digjital: IPKO prezanton pakot PRIMA dhe aplikacionin IPKO TV
Relaksim në përjetësi, me “Holiday In 2” t’gjitha i ki
Fito udhëtim në çift me IP Petrol!
Respekti dhe vlerësimi i punëtorëve refletojnë në suksesin e Emona Center
Klinika Amerikane “Dr. Behar Kusari” për herë të parë sjellë në rajon trajtimin pa dhimbje me Laser të Hemorroideve, Fistulave dhe Sinuseve Pilonidalis
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Krijo hapësirën tënde të biznesit – zyre me qira te 4 Llulat – 300€/muaj ID-252
Më të lexuarat
UEFA zbulon lojtarin më të shpejtë për këtë edicion në Ligën e Kampionëve
Zyrtare: Bundesliga me pesë skuadra në Champions duke iu falënderuar Dortmundit
A di të ndalet ky Ronaldo? Çfarë goli me këmbën e majtë
Mohamed Salah thyen heshtjen në rrjetet sociale pas përplasjes që kishte me Jurgen Klopp
Të gjithë po pyesin për ritualin e Bellingham para çdo ndeshjeje – anglezi shpjegon përse e bën
Bajrami: Jam i gatshëm ta ndihmoj Kurtin në procesin e Asociacionit