LAJMI I FUNDIT:

A do të ketë zgjedhje të reja në veri? – Lista serbe përsërit skenarin e 2018-së të largimit nga institucionet e Kosovës

A do të ketë zgjedhje të reja në veri? – Lista serbe përsërit skenarin e 2018-së të largimit nga institucionet e Kosovës

Kryetarët e katër komunave veriore, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan kanë dhënë dorëheqje të dielën (6 nëntor), nga pozita e tyre.

Përveç kryetarëve, dorëheqje kanë dhënë edhe këshilltarët në kuvendet komunale nga radhët e Listës Serbe.


Lidhur me momentumin e krijuar në komunat veriore pas dorëheqjeve, drejtori i programeve në organizatën joqeveritare “Demokracia Plus”, Albert Krasniqi ka thënë për Telegrafin se nuk ka kthim mbrapa të kryetarëve të dorëhequr.

Ai shton se për këtë gjë ekziston edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2010.

“Duke qenë se kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës, përmes deklarimit publik kanë deklaruar se japin dorëheqje të parevokueshme, i kanë dhënë fund edhe mandatit të tyre. Kthimi prapa i këtij vendimi nuk mund të bëhet, pasi mandati tashmë i është dorëzuar qytetarëve. Madje për këtë ka edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2010 në rastin Qazim Qeska, i cili kishte dhënë dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Komunës së Rahovecit, por që kishte kërkuar të rikthehej në pozitë. Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se “pasojat kushtetuese të dorëheqjes së kryetarit të një komune janë shpallja e zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës”, që duhet të mbahen jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga akti i dorëheqjes”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka shtuar se mandati i kryetarëve të ri, përfundon në datën e njëjtë sikurse mandati i kryetarit që zëvendësojnë.

Krasniqi ka theksuar se zgjedhjet mund të shpallen vetëm për kryetarë por jo edhe për kuvendet komunale.

“Për kuvendet komunale nuk duhet të shpallen zgjedhjet, por vetëm për kryetarë të komunave. Për anëtarët e kuvendeve komunale duhet të bëhet vetëm zëvendësimi i kandidatëve, fillimisht brenda listës së njëjtë me ata që kanë dhënë dorëheqje, e pastaj nëse mandatet refuzohen, kalohet në listat tjera të subjekteve politike sipas koeficientit më të lartë”, tha Krasniqi.

Njohësi i proceseve politike dhe kushtetuese, ka shtuar se përtej procedurave të shpalljes së zgjedhjeve, institucionet e Kosovës duhet të angazhohen për integrimin e plotë dhe të njëmend të qytetarëve serb.

“Është e rëndësishme që autoriteti i institucioneve lokale të burojë nga vullneti i qytetarëve, për të pasur mundësi t’i përmbushin detyrat dhe përgjegjësitë e tyre”, tha Krasniqi.

Të shtunën më 5 nëntor 2022, Lista Serbe njoftoi për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.

Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Historia e largimeve të zyrtarëve të Listës Serbe nga institucionet e Kosovës

Duhet kujtuar se nuk është hera e parë që kryetarët e komunave veriore japin dorëheqje nga pozita e tyre.

Ata një gjë të tillë e kishin bërë edhe në dhjetor të vitit 2018, si reagim ndaj taksës së vendosur nga Qeveria e Kosovës për mallrat me origjinë nga Serbia.

Pas këtij veprimi në atë kohë presidenti Hashim Thaçi kishte shpallur zgjedhjet e jashtëzankonshme për kryetarë në katër komunat veriore, të cilat ishin caktuar të mbahen më 19 maj 2019.

Për organizimin e këtyre zgjedhjeve Qeveria e Kosovës që drejtohej në atë kohë nga Ramush Haradinaj kishte ndarë 471 mijë euro.

Haradinaj kishte deklaruar se zgjedhjet e 19 Majit 2019, për pushtetin lokal në komunat veriore të Kosovës konfirmojnë përpjekjet për paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe prosperitet të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovën.

Ndryshe është hera e parë që deputetët e Listës serbe kanë dorëzuar mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës.

Ata një gjë të tillë e bënë të hënën më 7 nëntor 2022.

Kujtojmë se deputetët e Listës serbe muaj më parë kishin bojkotuar institucionet e Kosovës. Ata kishin deklaruar se do t’i ngrijnë pozitat e tyre, deri sa të shfuqizohet vendimi për suspendimin e gjykatëses serbe, Liljana Stevanoviq, e cila kishte marrë i pjesë në takimin me presidentin serb, Vuçiq. /Telegrafi/