LAJMI I FUNDIT:

Të jetosh në 1981 pa qenë i lindur në atë kohë

Të jetosh në 1981 pa qenë i lindur në atë kohë

Nga: Albin Mehmeti

Të dëgjosh dhe të jetosh në vitin 1981 janë dy gjëra të ndryshme. Të dëgjosh për diçka do të thotë të informohesh, kurse të jetosh do të thotë që atë ngjarje ta përjetosh. Por, ta përjetosh duke lexuar është gjë e rrallë, por ja që më ndodhi teksa lexoja librin “1981” të Agron Shalës.


Përjetimi i librit fillon që nga kapitulli i parë, që vetë autori e quan “Një”,  ku flet për ndarjen në ne dhe ata, për peripecitë të jetosh si shqiptar brenda një sistemi, ku ishte krijuar ndarja e madhe mes kombeve, ku ne (pra shqiptarët) ishim fajtorët për çdo gjë që ndodhte përreth, por që faji jonë më i madh ishte se ne ishim pa zot e pa shtet, dhe se nuk kishte kush të na mbronte. Këtu, autori ndalet duke përmendur sivëllezërit e heronjve të nazifashizmit, pra revolucionarët e LNÇ-së, të cilët luftuan kundër një ideologjie të egër për ta sjellë një robëri për një popull të tërë. Këtu mbase edhe fillon përplasje e madhe e autorit me bashkëkombësit e vet, të cilët ende jetojnë me iluzionet e parajsës socialiste jugosllave dhe mendojnë se atëherë ne  dhe ata ishim njëlloj, se ne dhe ata jetuam nën hijen e një pushteti i cili për të dy palët ishte nënë, dhe jo nënë e njerkë siç thonë intelektualët e vërtetë dhe ata të cilët e ndalën edhe këtë ndarje.

Pas këtij kapitulli autori fillon të përqendrohet në atë se çfarë e lidh autorin me këtë vit. Autori thotë se ishte pikërisht viti 1981 dhe skenat e protestave ato që atë e zgjuan nga ajo që psikologët e quajnë amnezia infantile. Kjo sipas psikologëve është koha kur fëmijët nuk dinë se çfarë ka ndodhur gjatë kësaj kohe. Ky kthim i kujtesës, apo më mirë të themi kjo vetëdije e autorit për gjërat që ndodhin bëjnë që individi ta merr rolin e kolektivitetit. Tani, kujtesa e autorit ndërlidhet me dijen a vetëdijen kombëtare, (vetë)dije e cila ishte shuar e venitur nga ideologjia komuniste dhe idetë utopiste të bashkim-vëllazërimit. Pikërisht në këtë kapitull, autori jep informacione të detajuara për komunizmin, shfaqjen e tij në botë si ide dhe më pas praktikë, si dhe raportin e tij me shoqërinë e historinë. Ai ilustron me shembuj sesi komunizmi ishte vetëm një utopi, ku shqiptarët kishin rënë në grackë të kësaj ideje dhe gjithë “zhvillimi” ekonomik ishte një pasqyrim jo real i kohës. Ai tregon se si në kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë, Kosova kishte zhvillimin ekonomik të vendeve të treta, kurse Sllovenia kishte nivel ekonomik aq të lartë, saqë krahasohej me shtetet e zhvilluara të Evropës.

Në kapitullin “Atje poshtë diku”, Agroni vazhdon të flasë për gjendjen e rënduar të shqiptarëve nën Jugosllavi dhe trysninë që shfaqej atje poshtë diku, pra në Kosovë. Në këtë kapitull, autori përmend edhe zhvillimin e rokut në Kosovë, i cili sipas tij filloi të zhvillohet herët, thuajse në të njëjtën kohë me Amerikën dhe Evropën, por që fillet e tij ishin më shumë sa për t’u dukur, dhe jo për zhvillimin estetik të artit. Sipas Shalës, zhvillimi i rokut filloi pikërisht në vitin e zgjimit të vetëdijes nacionale, pra në vitin 1981, atëherë kur roku u përdor si revoltë ndaj sistemit e shoqërisë dhe jo si dukje.

Autori vazhdon të përmend episode nga jeta e tij dhe e familjarëve të tij. Në kapitullin “Jetë buburreci”, paraqitet një situatë specifike, konkretisht një bisedë në dukje e thjeshtë dhe spontane, por që realisht është një pasqyrim sa real, po aq edhe i dhimbshëm. Gjatë një bisede të babait të tij (të autorit) me një serb, ky i fundit i thotë se ti dhe shqiptarët keni shumë fëmijë, pasi e keni qëllim marrjen në duar të Jugosllavisë. Këtu, babai i autorit të librit thotë se unë gjashtë fëmijë, por nuk e di sa prej tyre do të mbijetojnë prej jush. Ai merr shembull ku thotë se buburrecët shumohen më shumë sesa luanët, por luanët asnjëherë nuk janë të rrezikuar prej buburrecëve. Kjo fjali e shkurtër në të vërtetë është një realitet i gjatë historik i vuajtjeve të shqiptarëve ndër shekuj nga pushtues dhe pushtetarë të shumtë.

Më tej, brenda librit “1981” autori nuk fajëson vetëm të tjerët, por bën edhe një autokritikë për veten, kryesisht në shkrimin e historisë nacionale. Agroni thotë se historia shqiptare, por edhe ajo ballkanase në përgjithësi është e shkruar vetëm mbi opinione e mite dhe jo mbi fakte historike. Këtu, autori kritikon historianët dhe shkruesit e historisë, të cilët nuk shkruajnë për të vërtetën shkencore, por shkruajnë për të vërtetën e pushtetit apo pushtuesit. Në këtë vepër, autori guximshëm sulmon dukuritë prapanike të shqiptarëve, qoftë ajo  dashuria e flaktë për të mbajtur armë, apo edhe dashuria e flaktë për të arritur deri te pasuria. Në këtë rast, autori sjell fakte rrallë herë të publikuara më herët për audiencën shqiptare, në të cilët ndërron kursin e historisë, nga gjetja e fajit tek të tjerët, në një autokritikë, e cila po vazhdon sot e kësaj dite t’i mungojë shqiptarëve si popull.

Thënia se njeriu për njeriun është ujk, i transformuar nga Konica se shqiptari për shqiptarin është ujk e përtej ujkut bëhet temë diskutimi në kapitujt vijues. Me shembuj konkretë autori godet ideologjinë dhe shpresën të cilët jetonin dhe vazhdojnë të jetojnë shqiptarët. Autori tregon se si ju venit shpresa për një ndihmë nga Shqipëria kur e kuptoi pafuqinë e saj. Besimi i Agronit dhe shumë Agronëve të tjerë në një luan prej letre ishte utopi e shkuar utopie, madje kjo shpresë e venitur veçse rëndonte edhe gjendjen emocionale e shpirtërore të Agronit e rreth dy milionë Agronëve të tjerë.

Libri “1981”, si esencë ka ngjarjet për vitin e madh 1981, por që realisht është një histori mbi dymijë vjeçare brenda saj. Autori herë duke kritikuar pushtuesit për vazhdimin e ideve mesjetare e herë duke vetëkritikuar vetveten mundohet të sjellë në memorien tonë kolektive se zgjidhja e vetme e zhvillimit është duke shikuar në të ardhmen, por jo duke harruar të kaluarën, por as duke jetuar në mite, përralla e legjenda.

Për fund, vidhe (lexoje) këtë libër. Do të përjetosh edhe ti sikur unë vitin 1981, por edhe historinë dy mijëvjeçare të botës e Kosovës.