Të gjithë jemi të ankthshëm, por si ta kuptoni nëse keni çrregullim ankthi

Shenja e parë që tregon se problemi është i thellë dhe kërkon ndihmë profesionale
Ankthi është pjesë e përditshmërisë moderne, një reagim natyror ndaj stresit dhe pasigurisë. Megjithatë, kur ndjesia e shqetësimit bëhet e përhershme dhe ndërhyn në jetën e përditshme, ajo mund të sinjalizojë një çrregullim ankthi që kërkon vëmendje dhe trajtim profesional.
Çfarë duhet të dimë për ankthin dhe shëndetin mendor
Shëndeti mendor nuk është diçka që e kemi ose jo – ai ndërtohet çdo ditë. Psikoterapeutët theksojnë se çelësi i qëndrueshmërisë qëndron në aftësinë për të pranuar ndryshimet, për të mësuar nga përvojat dhe për t’u rikthyer në ekuilibër pas çdo rënieje.
Stabiliteti psikologjik nënkupton aftësinë për t’u përshtatur me sfidat dhe ndryshimet e jetës. Kjo balancë dinamike nuk është e pandryshueshme, përjetojmë luhatje emocionale, por rëndësi ka sa shpejt arrijmë të rikthehemi në gjendje funksionale.
Kur ankthi bëhet problem serioz
Është normale të ndihesh i pasigurt, i shqetësuar ose i tronditur pas një ngjarjeje stresuese. Por nëse ankthi vazhdon për javë apo muaj, nëse ndikon në gjumin, përqendrimin, punën ose marrëdhëniet, atëherë mund të flasim për çrregullim ankthi.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), rreth 1 në 8 persona në botë përjeton çrregullime ankthi, ndërsa pas pandemisë këto raste janë rritur me mbi 25%.
Në shumicën e rasteve, simptomat fillojnë si shqetësime të vogla emocionale, që nënvlerësohen ose shtypen, derisa shfaqen në formë trupore (somatike) – dhimbje stomaku, presion në gjoks, dridhje, lodhje kronike ose gulçim, transmeton Telegrafi.

Psikoterapia – shumë më tepër se një bisedë
Terapia me një psikoterapeut nuk është thjesht një bisedë, por një proces i thellë ku ndërtohet marrëdhënie besimi dhe rritjeje midis klientit dhe terapeutit. Në këtë marrëdhënie, analizohen modelet e mendimit, ndjenjat e fshehura dhe reagimet që shpesh ne vetë nuk i kuptojmë.
Psikoterapia ndihmon njeriun të kuptojë veten, emocionet dhe mënyrën se si përballet me stresin, duke i dhënë hapësirë shërimit dhe vetëdijes.
Shenja paralajmëruese: kur mendimet nuk pushojnë
Një nga shenjat e para të çrregullimit ankthioz është mendimi i tepërt dhe analizimi i vazhdueshëm i çdo situate.
Sipas studimeve të botuara në Journal of Anxiety Disorders, mbingarkesa kognitive e mban trupin në gjendje alarmi të përhershëm. Në këtë gjendje, trupi prodhon më shumë kortizol (hormon stresi), gjë që ndikon negativisht në sistemin imunitar, tretje dhe gjumë.
Mos i shtypni emocionet – mësoni t’i dëgjoni
Terapistët theksojnë se shtypja e emocioneve mund të çojë në simptoma fizike ose shpërthime emocionale të papritura. Është më e shëndetshme të pranojmë frikën, mërzinë apo ankthin, t’i emërtojmë dhe t’i kuptojmë. Vetëm atëherë njeriu e di nga duhet të fillojë shërimin.
Ankthi në vetvete nuk është armik,ai është sinjal se diçka duhet ndryshuar në mënyrën se si jetojmë, punojmë ose mendojmë. Kur trupi dhe mendja “flasin” përmes tensionit, pagjumësisë apo dhimbjeve të pashpjegueshme, është thirrje për vetëkujdesje.

Roli i stresit: jo gjithmonë armik
Stresi nuk është gjithmonë negativ. Në sasi të moderuara, ai mund të jetë forcë shtytëse për zhvillim dhe përshtatje. Psikologët e quajnë këtë “stres konstruktiv”, që na ndihmon të mësojmë dhe të përballojmë situata të reja.
Megjithatë, kur stresi bëhet kronik, trupi nuk arrin më të rikthehet në ekuilibër - lodhja, irritimi dhe ndjenja e boshllëkut janë shenja të mbingarkesës emocionale.
Aftësia për t’u rikthyer – matësi i shëndetit mendor
Ajo që na lodh nuk është gjithmonë vetë stresi, por mënyra si e perceptojmë dhe e përjetojmë atë. Disa njerëz e shohin stresin si sfidë që i forcon, ndërsa të tjerët si rrezik që i shkatërron. Kjo ndryshon sipas strukturës psikologjike, përvojave të fëmijërisë dhe mënyrës si jemi mësuar të reagojmë ndaj jetës.
Sipas studimeve të American Psychological Association (APA), rezilienca, aftësia për t’u rikthyer pas vështirësive, është një nga treguesit më të fortë të shëndetit mendor.
Kur të kërkoni ndihmë profesionale
Nëse ndiheni të shqetësuar çdo ditë, keni mendime të padëshiruara, tension fizik pa arsye të qarta, ose ndjeni se nuk mund të funksiononi normalisht, kërkoni ndihmë nga një psikolog ose psikoterapeut i licencuar.
Trajtimi i hershëm ul ndjeshëm rrezikun që ankthi të përshkallëzohet në depresion apo çrregullime më të rënda. /Telegrafi/

















































