LAJMI I FUNDIT:

Të enjten seanca për Tribunalin për krimet e Serbisë në Kosovë

Të enjten seanca për Tribunalin për krimet e Serbisë në Kosovë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli njoftoi sot se të enjten do të votohet për themelimin e Komisionit Shtetëror që do të punojë në dokumentimin e gjenocidit në Kosovë dhe të bartë nismën për themelimin e Tribunalit Ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë.

“Ashtu siç kam paralajmëruar që disa ditë, sot në kryesinë e Kuvendit të Kosovës kam paraqitur edhe propozimin që të enjten të mbahet një seancë parlamentare për themelimin e një komisioni shtetëror, i cili do të ketë si mision konfirmimin, hulumtimin dhe klasifikimin e gjenocidit të kryer gjatë luftës së fundit në Kosovë. Po atë ditë, ditën e enjte, do të kemi edhe rezolutën e gjenocidit në Kosovë, për të vazhduar me vendimin, të cilin do ta merr Kuvendi i Kosovës në themelimin dhe ndërtimin e muzeut të gjenocidit, i cili do të jetë propozim nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, propozimi është që tek te ish-tjegullorja të jetë vendndodhja e muzeut të gjenocidit serb mbi qytetarët e Kosovës”, tha ai.


Veseli tha se askush nuk mund ta zë në gojë idenë se ky tribunal mos të jetë ndërkombëtar, ndërsa pret mbështetje nga gjitha partitë politike, për të dokumentuar dhe faktuar të gjitha krimet që ka bërë Serbia në Kosovë, në mënyrë që të hapet një perspektivë e re e regjionit të Ballkanit Perëndimor.

Kreu i Kuvendit shtoi se nuk është i fokusuar që të bëhet kryeministër pasi që për të primare është gjenocidi serb. /Telegrafi/