LAJMI I FUNDIT:

Te dashur mantelbardhë, të dashur pacientë!

Te dashur mantelbardhë, të dashur pacientë!

Shqipe Pantina

Si për do sektor tjetër të shoqërisë – arsim, sistem i drejtësisë, politikë – edhe për sektorin e shëndetësisë kritikat e gishti i fajit drejtohet pa kursim. Mantelbardhët (siç i quajmë mjekët dhe infermierët shpeshherë), janë cak i akuzave të shumë njerëzve që ua kanë nevojën, porse në fund sërish ua besojmë shëndetin e besa edhe jetën, sepse zgjidhje tjetër nuk kemi.


Në mesin e mjekëve dhe infermierëve me siguri se ka të atillë që i meritojnë të gjitha akuzat që ju drejtohen, por a janë më të shumtë ata që meritojnë falënderimet tona? Pa dyshim se po. Ndaj, është e qartë se diçka nuk po funksionon edhe në sistemin e shëndetësisë. Por, kur e drejtojmë gishtin te vetja, në anën tjetër të pasqyrës?

Këto ditë kam pasur fatin të pranoj shërbimet e disa prej qendrave shëndetësore, si të sektorit privat po ashtu edhe ati publik, e besa edhe disave jashtë vendit, prandaj dua të ndaj një pjesë të kësaj përvoje me ju. Kosova, për fatin e mirë, ka mjekë jashtëzakonisht të përgatitur profesionalisht, të cilët janë pjesë e sektorit shëndetësor publik. Diagnoza a tyre ishte po e njëjta që kishin dhënë edhe mjekët e spitaleve private në vend, por edhe jashtë. Përderisa shërbimet që ofrojnë ata ne i marrim falas ( ose kundrejt pagesave simbolike), të njëjtat në klinikat private jo vetëm jashtë, por edhe brenda vendit, kushtojnë një dreq e gjysmë. Ndërsa, cilësia e këtyre shërbimeve profesionale mund të jetë më e lartë, por assesi më e dobët se e klinikave private.

Kujdesi dhe sjellja ndaj pacientëve është profesionale dhe në përputhje me nevojën që ka pacienti. Shumë pacientë mendojnë se neglizhohen dhe nuk u ofrohet shërbimi i duhur, por mendoj se deklarimet e tilla janë të ekzagjeruara dhe të pabaza. Prej asaj çfarë kam parë dhe kam përjetuar unë, sjellja si e mjekëve edhe e infermierëve ka qenë jashtëzakonisht profesionale me secilin pacient, edhe atëherë kur pacientët kanë qenë të padisiplinuar dhe dorën në zemër në disa raste edhe të mërzitshëm. Por, pse jemi të prirë të besojmë se në klinikat private apo jashtë vendit shërbimet janë me të mira? A kemi arsye të besojmë kështu? Cilat janë të metat e sistemit tonë shëndetësor?

Nuk pretendoj se i njoh problemet në sistemin shëndetësor në Kosovë, por ( siç e thash edhe më lartë) po e ndaj vetëm përvojën time. Çfarë duhet ndryshuar?

Menaxhimi mbetet problemi kryesor, jo vetëm në shëndetësi. Ne disa prej klinikave, numri i mjekëve specialistë ishte i vogël, ndërsa numri i pacientëve që kërkonin shërbime shumë i madh, përderisa në anën tjetër ka disa klinika që kishin më shumë specialistë sesa pacientë që kanë nevojë për ta.

Furnizimi dhe pajisje. Është mëkat i madh që për shërbimet që mjekët tanë mund t’i ofrojnë, jemi të detyruar të paguajmë mijëra euro në klinika private ose jashtë vendit, sepse mungon aparatura apo pajisjet e mjetet tjera të nevojshme. P.sh., ndonëse ka numër të mjaftueshëm e ndoshta edhe të tepërt të specialistëve për analiza laboratorike, pacientët janë të detyruar që për një numër prej tyre të paguajnë nëpër laboratorë privatë, ngase mungon aparatura apo materiali. Apo, për disa lloje të shërbimeve (operacioneve) duhet të pritet deri ne tri vite (në ortopedi për shembull) dhe kjo vetëm si pasojë e menaxhimit jo të duhur – me resurse njerëzore apo furnizim me materiale shëndetësore.

Komunikimi: Të dashur mjekë, e dimë se gjuha mjekësore është e mbushur me terma kryesisht latinë dhe kjo është gjuhë në të cilën ju komunikoni mes vete, por pacientëve kjo gjuhë ua shton frikën. Prandaj, ju lutem, me ne si pacientë flisni shqip kur na tregoni se nga se vuajmë dhe çfarë duhet bërë tutje. Kuptoj se ka terma që nuk përkthehen në shqip, por besoj se për shumicën e tyre kemi fjalë shqipe që i kupton secili, pa marrë parasysh nivelin e shkollimit. P.sh., nëse e pyesni një pacient a ke hemorragji, ai nuk e kupton, por po e pyetet e keni gjakderdhje kjo është më e lehtë. Nuk po flas për rastet e sëmundjeve të rënda kur komunikimi është edhe më i vështire, e ndoshta prania e psikologut është mëse e domosdoshme. Në raste të tilla reagimi i pacientëve apo i familjarëve edhe mund të jetë jo racional edhe ndaj jush, ndonëse ju nuk jeni fajtorë.

Të dashura infermiere, roli juaj në sistemin shëndetësor është po aq i rëndësishëm sa edhe I mjekut. Ju e bëni një punë të shkëlqyeshme. Unë këtë e kam parë vet, e sidomos tek sallat e kujdesit intensiv. Ndonëse askujt nuk i dëshiroj të ketë fatin të shoh sa të përkushtuar janë secili infermier apo teknik që punon në sallën e kujdesit intensive, do të doja ta dinin se sa me kujdes e dashuri e trajtoni secilin pacient që kalon nëpër atë sallë. Unë ju jam mirënjohëse pafundësisht, ndonëse asnjërës prej jush nuk ua di emrat dhe nuk ua mbaj mend fytyrat. Por, në sytë e mi ju jeni engjëjt në tokë.

Për fat të keq, shumë njerëz nuk e kanë mendimin e njëjtë për infermiere. Kjo kryesisht për shkak komunikimit. Si për dreq, sa herë që ju uleni të pini një kafe me kolegë, një pacient ka nevoje për ju. Mënyra se si ju silleni në atë moment, kë e lini të prisni, pacientin apo kafenë, e përcakton përshtypjen qe krijohet për krejt punën tuaj. Për mendimin tim, kafeja çdoherë mund të presë, sidoqoftë ju këtë e dini! Ju po ashtu nganjëherë, ndoshta pa dashje, na i tregoni edhe problemet që i keni me kolege, shoqe, me vjehrrën apo me burrin. Muhabetin me kolegen, derisa jeni duke ia bere gjilpërën pacientit, pa dashje e dëgjon edhe ajo ose ai. Ju këtë punë e bëni çdo ditë, por kur pacientin ju sheh tek i afroheni me gjilpërë në dorë, e në anën tjetër flisni me kolegen, e bën të dyshoj se ju nuk e keni mendjen tek ai/ajo por tek “turshitë që diçka nuk ishin bo të mira sivjet” . Aty ai/ajo i frikohet gjilpërës që keni në dorë, por sapo del nga dera ka mundësi që shkrep një arsenal fjalësh të pakëndshme drejt jush.

Por, a janë vetëm mjeket fajtorë për pakënaqësitë që kemi me sistemin shëndetësor në përgjithësi? Jo. A kanë pacientët faj në këtë mes. Padyshim se po.

Te dashur pacientë, spitali nuk është hotel me pesë yje dhe ju nuk jeni aty për pushime, prandaj ankesat t’i lini në shtëpi dhe nisni të silleni sipas udhëzimeve të personelit mjekësor. Ju i jeni drejtuar mjekut se keni nevojë për të, prandaj duhet t’i dëgjoni dhe respektoni këshillat/urdhrat e tij/saj. Në spital nuk shkohet nga qejfi, është e kuptueshme se keni dhimbje, dhe mos harroni se dhimbjet me të cilat po përballeni ju tani, mjekët dhe infermierët përballen çdo orë, çdo ditë e çdo javë, prandaj në vend se vetëm të ankoheni e të bërtisni e shani, është mirë të ju buzëqeshni e të ju thoni Faleminderit.

Të dashur mantelbardhë, ju faleminderit!

Në trend

Më shumë
Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Lajme
Reagon presidenti iranian, Zelenskyt hatërmbetje me aleatët – detaje dhe pamje, minutë pas minute, rreth ‘hakmarrjes’ së Izraelit ndaj Iranit

Reagon presidenti iranian, Zelenskyt hatërmbetje me aleatët – detaje dhe pamje, minutë pas minute, rreth ‘hakmarrjes’ së Izraelit ndaj Iranit

Botë
Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, analistët në Beograd: Serbia ka prekur fundin moral e politik

Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, analistët në Beograd: Serbia ka prekur fundin moral e politik

Lajme
“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

Drejtësi
Granit Xhaka mesazh Arsenalit për titullin kur kanë mbetur edhe gjashtë xhiro deri në mbyllje

Granit Xhaka mesazh Arsenalit për titullin kur kanë mbetur edhe gjashtë xhiro deri në mbyllje

Premier League
Shkëlqeu ndaj Man Cityt dhe në klub ende e duan, por veterani i Real Madridit ia ka kumtuar Perezit largimin për në fund të sezonit

Shkëlqeu ndaj Man Cityt dhe në klub ende e duan, por veterani i Real Madridit ia ka kumtuar Perezit largimin për në fund të sezonit

La Liga
Kalo në kategori