LAJMI I FUNDIT:

A do të arrihet dakordim mes Kosovës dhe Serbisë për targat dhe letërnjoftimet deri më 1 shtator – flasin analistët

A do të arrihet dakordim mes Kosovës dhe Serbisë për targat dhe letërnjoftimet deri më 1 shtator – flasin analistët

Ditë më parë, Qeveria e Kosovës solli vendimin për reciprocitet me Serbinë për çështjen e targave dhe letërnjoftimeve, e cila pak orë para ekzekutimit të saj u karakterizua me tensione të shumta në veri të vendit, e kjo bëri që të mblidhen krerët e shtetit në Presidencë me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Jeff Hovenier dhe ta shtyjnë ekzekutimin e saj deri më 1 shtator, për të krijuar kohë për të dy palët deri në një dakordim.

Për këtë, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell ka ftuar në një takim në Bruksel, kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq, për të biseduar për të gjitha çështjet e hapura.


Lidhur me këtë, analistët janë skeptik nëse do të arrihet ose jo ndonjë dakordim mes palëve për çështjen e targave dhe të letërnjoftimeve.

Analisti Artan Muhaxhiri, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se është i pritshëm që secili vendim i rëndësishëm i Qeverisë së Kosovës që ndërlidhet me Serbinë të sfidohet me automatizëm dhe maksimalisht nga lidershipi në Beograd.

Prandaj, siç vlerësoi ai, presionet e koordinuara nga nivelet e llojllojshme të vendimmarrjeve janë bërë e vetmja mënyrë që të ecet dalëngadalë përpara drejt normalizimit të gjendjes.

Artan Muhaxhiri, analist

Muhaxhiri tha se marrëveshja për targat dhe reciprociteti për letërnjoftimet gjithsesi do të realizohen në praktikë, sepse siç u shpreh ai janë derivat i Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes të vitit 2011 dhe ekziston pajtueshmëri ndërkombëtare për aplikimin e tyre.

Heqja e barrikadave dhe shtyrja e vendimeve për reciprocitet – gjithçka çfarë ndodhi gjatë dy ditëve të tensionuara në Kosovë
Lexo po ashtu Heqja e barrikadave dhe shtyrja e vendimeve për reciprocitet – gjithçka çfarë ndodhi gjatë dy ditëve të tensionuara në Kosovë

“Gjithashtu konsiderohen si etapë avancuese për forcimin e identitetit shtetëror të Kosovës në raport me Serbinë – kësisoj duke kontribuuar në ecurinë drejt Marrëveshjes përfundimtare, pasi kalimi i çdo shkalle të rëndësishme e bën më të kapshme për të gjithë akterët këtë ide historibërëse”, tha Muhaxhiri.

I pyetur se nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje, a mund të ripërsëritet ngjarja e 31 korrikut, ai theksoi: “Elementi më i rëndësishëm i zhvillimeve të 31 korrikut ishte përfshirja e drejtpërdrejtë e Ambasadorit Amerikan, Jeff Hovenier, në gjithë këtë rrëfim kompleks. Kërkesa e tij publike ndaj Qeverisë së Kosovës për shtyrje njëmujore të vendimit nënkupton dy gjëra:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë janë shndërruar në hisedare dhe garantuese të marrëveshjes për targat dhe reciprocitetit për letërnjoftimet;

Përveç Kosovës, Qeveria e Serbisë do të duhet ta shtojë edhe faktorin amerikan në kalkulimet eventuale të skenarëve për destabilizim të situatës – gjë që kurrë nuk është ide e mirë”.

Muhaxhiri po ashtu shtoi se Serbia do të tentojë që në Bruksel të arrijë ndonjë kompromis të ri politik, në mënyrë që ta relativizojë efektin e pranimit të detyrueshëm të marrëveshjeve më 1 shtator.

Edhe, Arton Demhasaj nga organizata “Çohu”, për Telegrafin vlerësoi se pritshmërit e tij për dakordim mes palëve për çështjen e targave janë të pakta.

Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu”

“Duke marrë parasysh që është diskutuar që gjashtë muaj për këtë cështje dhe nuk është arritur një marrëveshje, goxha e vështirë të besojmë që do të arrihet për 30 ditë. Por ndoshta mund të arrihet pasi mund të shtohet presioni i ndërkombëtarëve. Në këtë rast edhe i Brukselit dhe Uashingtonit, por gjasat janë shumë të vogla”, tha Demhasaj.

Analisti, Emir Abrashi tha se masa e paralajmëruar nga qeveria për targat dhe letërnjoftimet është e drejtë dhe duhet zbatuar.

Për Telegrafin Abrashi u shpreh se problemi qëndron tek Qeveria e Kosovës, pasi është dashur të koordinohet me partnerët ndërkombëtarë para marrjes së këtij vendimi.

“Fillimisht, është e rëndësishme të potencohet që masat e reciprocitetit janë masa të drejta dhe të përdorura në të gjithë botën. Prandaj, masa e paralajmëruar nga qeveria për targat dhe letërnjoftimet është e drejtë dhe duhet zbatuar. Problemi është që për këtë masë, marrë parasysh situatën në veri, qeveria është dashur të koordinohet me partnerët ndërkombëtarë para marrjes së këtij vendimi, dhe jo të merret vendimi e më pas të shtyhet ekzekutimi, për shkak se kjo e vendosë qeverinë në pozitë të palakmueshme dhe të dobët”, tha ai.

Emir Abrashi, analist

Abrashi theksoi se Qeveria e Kosovës, të punojë ngushtë me Brukselin e Washingtonin që brenda kësaj periudhe 30 ditore të shtyjë përpara zgjidhjen përfundimtare të çështjes së targave dhe letërnjoftimeve.

“Tashmë kur është marrë vendimi për shtyrjen e zbatimit të këtij vendimi, është e nevojshme që qeveria të punojë ngushtë me Brukselin e Washingtonin që brenda kësaj periudhe 30 ditore, qeveria të shtyjë përpara zgjidhjen përfundimtare të çështjes së targave dhe letërnjoftimeve, e jo të bëj marrëveshje për implementimin e reciprocitetit, pasi që kjo në fakt do ta cenonte sovranitetin e Kosovës dhe do të tregonte pafuqinë e qeverisë për të shtrirë autoritetin e saj në veri të vendit”, ka thënë Abrashi.

Abrashi po ashtu tha: “Ajo që është e rëndësishme para takimit me Borrell, është që qeveria të arrijë që përmes aleatëve tanë ta shtojë presionin mbi Serbinë, në mënyrë që takimi i radhës mes Kosovës dhe Serbisë, të jetë vendimtar zgjidhjen përfundimtare për çështjen e targave dhe letërnjoftimeve – e jo të jetë një zgjidhje të përkohshme me të cilën duhet përsëri të merremi pas një kohe, e rrjedhimisht edhe të kemi përsëritje të kësaj historie”. /Telegrafi/ 

Në trend Lajme

Më shumë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Politikë
Përshkallëzohet sërish protesta e opozitës, hidhet molotov në derën e Bashkisë

Përshkallëzohet sërish protesta e opozitës, hidhet molotov në derën e Bashkisë

Lajme
“Kryeministër si 2, si 7, si 27, është ngacmim seksual”, Lëvizja Studentore Feministe me aksion simbolik

“Kryeministër si 2, si 7, si 27, është ngacmim seksual”, Lëvizja Studentore Feministe me aksion simbolik

Lajme
QKUK-ja bëhet me skanerin PET/CT, donacion nga organizata

QKUK-ja bëhet me skanerin PET/CT, donacion nga organizata "Alwaleed Philanthropies Global" në bashkëpunim me Fondacionin “Jahjaga”

Shëndetësi
Dorëzimi i donacioni i PET/CT, Osmani takon princeshën Alsaud – flasin për projektet tjera në interes të qytetarëve

Dorëzimi i donacioni i PET/CT, Osmani takon princeshën Alsaud – flasin për projektet tjera në interes të qytetarëve

Lajme
Kalo në kategori