Oda e Avokatëve të Kosovës ka kundërshtuar propozimin e Komunës së Prishtinës për vendosjen e një tarife vjetore prej 1,000 euro për zyrat e avokatisë, duke kërkuar përjashtimin e plotë të profesionit të avokatit nga kjo kategori tarifimi.

Në një njoftim për media, bëhet e ditur se kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Besnik Berisha, ka marrë pjesë në dëgjimin publik të organizuar nga Komuna e Prishtinës lidhur me Draft-Rregulloren për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale.


“Në emër të Odës së Avokatëve të Kosovës dhe të qindra avokatëve që ushtrojnë profesionin në kryeqytet, Kryetari Berisha kundërshtoi propozimin për vendosjen e tarifës vjetore prej 1,000 euro për zyrat e avokatisë, duke kërkuar përjashtimin e plotë të profesionit të avokatit nga kjo kategori tarifimi”, thuhet në njoftim.

Sipas OAK-së, avokatia nuk mund të trajtohet si veprimtari tregtare, pasi ka rol kushtetues në garantimin e të drejtës për mbrojtje dhe qasje në drejtësi.

“Avokatia nuk është veprimtari tregtare dhe nuk mund të trajtohet njësoj me bizneset komerciale. Avokati është bartës i një funksioni të domosdoshëm për realizimin e të drejtës kushtetuese në mbrojtje, qasje në drejtësi dhe proces të rregullt ligjor”, theksohet në qëndrimin e OAK-së.

Gjithashtu, gjatë diskutimit është vënë në pah se vendosja e një tarife të tillë do të krijonte precedent të gabuar për profesionet e drejtësisë.

“Vendosja e një tarife të tillë ndaj avokatëve është në kundërshtim me natyrën dhe rolin kushtetues të profesionit... trajtimi i avokatëve si kategori biznesi për qëllime të tilla fiskale krijon një precedent të gabuar”, ka deklaruar kryetari Berisha.

OAK vlerëson se çdo barrë financiare ndaj avokatisë reflektohet drejtpërdrejt te qytetarët dhe qasja në drejtësi.

“Oda e Avokatëve të Kosovës vlerëson se çdo barrë e pajustifikuar financiare ndaj profesionit të avokatit përkthehet drejtpërdrejt në kosto shtesë për qytetarët dhe në vështirësim të qasjes në drejtësi”, thuhet më tej.

Në fund, OAK ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës që avokatia të përjashtohet nga kjo rregullore dhe ka bërë të ditur se argumentet e saj do të dorëzohen edhe me shkrim në kuadër të procesit konsultativ. /Telegrafi/