LAJMI I FUNDIT:

Tarifat godasin SHBA-të, tregtia ngadalëson ekonominë

Tarifat godasin SHBA-të, tregtia ngadalëson ekonominë

Ekonomia e Shteteve të Bashkuara është ngadalësuar më pak se ç’pritej në tremujorin e tretë, ndërkohë që rënia e eksporteve të sojës si pasojë e tarifave tregtare, u kompensua nga shpenzimet e forta konsumatore. Kjo ka mbajtur rritjen ekonomike brenda objektivit të Trump, në 3 për qind për këtë vit.

Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 3.5 për qind në periudhën Korrik-Shtator me bazë vjetore dhe mori gjithashtu nxitje nga investimet në inventarë dhe shpenzimet qeveritare, sipas Departamentit të Tregtisë.


Ndërsa kjo normë erdhi poshtë rritjes prej 4.2 për qind në tremujorin e dytë, ishte ende sipër potencialit të rritjes ekonomike, që sipas analistëve qëndron në 2 për qind. Megjithatë, kishte faktorë paralajmërues ndaj zgjerimit ekonomik, që ka arritur tashmë vitin e 9 radhazi të rritjes, që është periudha e dytë më e gjatë në histori. Shpenzimet e bizneseve u ngadalësuan dhe investimet në shtëpi ranë për të 3-in tremujorë radhazi, duke treguar se reduktimet tatimore prej 1.5 trilionë dollarë kanë ndaluar së dhëni efekt dhe normat e larta të interesit po dëmtojnë tregun e pronave.

Stimujt fiskalë janë pjesë e masave të adaptuara nga presidenti Donald Trump, për të nxitur rritjen ekonomike në 3 për qind në mënyrë të qëndrueshme. Megjithatë, administrata është përfshirë në një luftë tregtare me Kinën dhe ngadalësimi i lehtë në tremujorin e tretë, reflektoi kryesisht tarifat e Pekinit ndaj eksporteve amerikane, përfshirë sojën.

Që prej atëherë, eksportet e sojës dhe jo vetëm, kanë rënë çdo muaj duke rritur deficitin tregtar. Nga ana tjetër, kërkesa e fortë brenda vendit, rriti importet e mallrave konsumatore, duke bërë që deficiti tregtar, t’i heqë 1.78 për qind rritjes së PBB në tremujorin e tretë. Inventarët u rritën me 76.3 miliardë dollarë, duke i shtuar 2.07 për qind rritjes së PBB. /Telegrafi/