LAJMI I FUNDIT:

Tarifa në “Rrugën e Kombit”, opozita kërkon përjashtimin e Ramës nga Kuvendi

Tarifa në “Rrugën e Kombit”, opozita kërkon përjashtimin e Ramës nga Kuvendi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi të dielën se nuk kishte pse të negociohej me Kosovën për tarifën në “Rrugën e Kombit”.

Ai tha gjithashtu se patriotizëm është ta paguash këtë tarifë dhe jo e kundërta.


Në ndërkohë, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e cilësoi këtë deklaratë një fyerje të rëndë që u është bërë shqiptarëve.
“Edi Rama dhe oborri i tij arrogant, të mbyllur në kullat e oligarkëve nuk e kuptojnë që sot shqiptarët janë ngritur kundër regjimit skllavërues që ai po instalon. Fjala e tij para shqiptarëve ishte jo vetëm një fyerje që u bëhet banorëve të Kukësit, por edhe një shprehje e qartë e antikombëtarizmit të tij që i trajton kosovarët si klientë të pazarave të oligarkëve të tij”, deklaroi ajo.

Kryetarja e LSI-së tha në konferencë për media se opozita distancohet nga kjo dhe se e bashkuar do të dorëzojë në Kuvend kërkesën për përjashtimin e kryeministrit Rama, shkruan Top Channel.

“Sot distancohemi dhe dënojmë me forcë deklaratën e tij, fjalorin e tij vulgar prej rrugaçi dhe përçmimin për shqiptarët e Kosovës, ndaj do të kërkojmë përjashtimin e Kryeministrit nga Parlamenti për këto shfaqje të shëmtuara. Qëndrimi ynë do të jetë vendimarrje në funksion të mënyrës së sjelljes së këtij Kryeministri”, ka përfunduar Kryemadhi.