LAJMI I FUNDIT:

Taksa të hiqet, me paralajmërim

Taksa të hiqet, me paralajmërim

Edhe pse nuk duket kohë e përshtatshme të flasim në plan të parë për taksën, bizneset kosovare vërejnë se po akumulohet një çakordancë përbrenda partnerëve qeveritarë se si dhe kur duhet hequr kjo taksë.

Nuk jemi të parët që vendosim dhe heqim taksë ndaj një vendi tjetër (dhe fatmirësisht për këtë temë është shkruar e diskutuar gjerësisht). Prandaj, ekziston një konsensus ndër ekonomistët se ndikimi i heqjes së taksës, i menjëhershëm dhe pa paralajmërim, është goditje me pasoja negative ndaj sektorit të bizneseve. Pra, edhe pse vështirë është të mohohen përfitimet e një tregtie të lirë dha pa tarifa, vënia e menjëhershme e taksës kishte gjasa të dëmtonte konsumatorët të paktën në periudhë afatshkurtër, përderisa prodhuesit dhe tregtarët të furnizojnë mjaftueshëm tregun nga kanale të reja. Ngjashëm, tash ka gjasa që heqja e menjëhershme e taksës, pa paralajmërim, të dëmtojë vet tregtarët që ngelin me produkte të tepërta të akumuluara dhe pa treg për t’i plasuar ato.


Shumë nga tregtarët kosovarë, gjatë pothuaj një viti e gjysmë me taksën në fuqi, kanë përshtatur preferencat e konsumatorëve drejt produkteve të vendeve të treta, si zëvendësim të importeve të munguara nga Serbia dhe Bosnja. Si rrjedhojë, varësisht nga cikli i furnizimit me mallra në stok që këto biznese kanë të akumuluara, ekziston rreziku të mos kenë kohë të mjaftueshme të përshtatin strategjitë e tyre biznesore ndaj veprimeve të menjëhershme të Qeverisë së Kosovës. Një situatë e tillë potencialisht do t’i zinte tregtarët tanë të papërgatitur, me mall të tepërt në depo dhe me pamundësi të plasimit të këtyre produkteve në kohë të duhur.

Veprime arbitrare, të menjëhershme të qeverisë sonë, duke mos ju dhënë afat të mjaftueshëm akterëve në ekonomi të përshtatin secili veprimet e veta kundrejt veprimeve të deklaruara të qeverisë, konsiderohen të dëmshme dhe me rrezik të lartë, gjithashtu negative edhe nga indikatorë të njohur të të bërit biznes për vendin tonë.

Prandaj, jo për hir të tekeve të ndokujt, e as dëshirës së aleatëve tanë ndërkombëtarë, por për hir të bizneseve që ende i kemi të vogla dhe të brishta në raport me vendet fqinje, do të ishte e drejtë që taksa të hiqet me paralajmërim, gradualisht, dhe duke ju dhënë afat të mjaftueshëm të gjithëve për përshtatje me rrethanat e reja që do të mbizotërojnë pas heqjes së taksës.

(Autori është menaxher në Shërbimin e Këshillave Financiare pranë Deloitte Kosova Llc.)