LAJMI I FUNDIT:

Taksa që ngufat Kosovën

Taksa që ngufat Kosovën

Realiteti i krijuar viteve të fundit në Kosovë, është mu ashtu siç e dëshirojnë dhe e kanë ëndërruar armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve dhe të Republikës së Kosovës.

Kriza politike që është duke e përcjell Kosovën viteve të fundit, ka gjeneruar krizë ekonomike, shkatërrim të arsimit, të shëndetësisë, getoizim të shoqërisë kosovare dhe mbi të gjitha dëmtim të imazhit të Kosovës nga i cili dëmtim sot nuk ka investime të huaja. E, Kosova është shndërruar në vend për të ikur e jo për të ndërtuar ardhmërinë e të rinjve.


Një periudhë e gjatë kohore gjeneroi krizë morale; amoraliteti ka varrosur vlerën duke mbështetur antivlerën. Tragjedia më e madhe është që kjo antivlerë, e ndërtuar me padituri, me servilitet dhe meritokraci partiake, është instaluar në institucionet më të larta shtetërore – e në veçanti në agjenci, në borde dhe ndërmarrje publike.

Si rrjedhojë e këtij realiteti të hidhur, sot Kosova është shndërruar në vendin për të cilin në tempujt e diturisë në të ardhmen do të mësohet se si nuk duhet qeverisur një shtet dhe si mund të shkatërrohet një shtet nga antivlera që e kaplon një shoqëri.

Duhet të kuptohet se nuk mund të jetohet nga patriotizmi folklorik dhe nga antivlera që gjeneron populizëm steril. Se populizmi steril e ka koston e vet dhe e merr verdiktin e qytetarit, kjo u dëshmua në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar.

Kur i analizojmë vitet e humbura në Kosovën e paspavarësisë, tri vitet e lidhura me demarkacionin, gazin lotsjellës, tentativat për ta rrënuar Parlamentin e Kosovës, demonstratat dhe brutalitetin… çka fitoi Kosova nga e gjithë kjo?! Pastaj, dy vite të populizmit me një taksë 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, është një kohë shtesë e humbur që nuk do të kthehet më. Një taksë që la gjurmë negative në aspektin politik, për çka kemi një luftë politike-klanore pro dhe kundër e cila mund të shndërrohet edhe në mollë sherri për trazira; një taksë që cenon raportet me ShBA-në dhe vendet mike evropiane të cilat janë sponzorizuesit më të mëdhenj të pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Kjo taksë në aspektin ekonomik më së shumti e goditi qytetarin e Kosovës; taksë e cila gjeneroi rritje të inflacionit, rritje të çmimit të produkteve bazike për shportën e qytetarit, uli konkurueshmërinë e produkteve “Made in Kosova”, uli eksportin e produkteve vendore dhe shkaktoi rritje enorme të importit nga vendet e rajonit dhe më gjerë, dekurajoi investimet dhe investitorët e huaj, demotivoi diasporën për të investuar dhe e shndërroi Kosovën në një ndër vendet më të shtrenjta për të jetuar… Dhe, kur gjithë kësaj i shtohet fakti që produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nuk u zhdukën nga tregu kosovar, dëshmon se kjo taksë e forcoi informalitetin dhe evazionin fiskal, e rriti importin nga Bullgaria, Maqedonia, Shqipëria, po edhe nga vendet e ish-bashkimit Sovjetik me produkte të njëjta të rietiketuara. Prandaj, këto mallra që u paguan 400 milionë falë këtij manovrimi tregtar, qytetarët e Kosovës i paguan shumë më shtrenjtë.

Kur kemi parasysh faktin tjetër që në mungesë të sundimit të rendit dhe ligjit shumë agjenci shtetërore të Republikës sonë sot janë më tepër në mbështetje të grupeve të caktuara të interesit, atëherë mund të mendoni nivelin e evazionit fiskal dhe ekonomisë së hirtë që e ka kapluar Kosovën si pasojë e kësaj takse.

Në aspektin integrues, Kosova u getizua;për liberalizim mund të shpresohet po kjo lë hapësirë për t’u realizuar. E, kur miqtë më besnikë të Kosovës janë kundërshtar të një vendimi të tillë, kjo dëshmon sesa e rrezikshme ka qenë taksa për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës.

Kur kritikët dhe analistët ngritën zërin kundër një vendimi të tillë të paanalizuar, të paargumentuar dhe të paarsyetuar, u shpallën tradhtarë, matrapazë dhe të shitur. Por, koha është dëshmitari dhe gjykatësi suprem i çdo procesi, sepse atë që e dëshmon dhe e vërteton koha ka shumë rëndësi.

Për fat të keq, shumë probleme të krijuara me qëllim apo pa qëllim janë duke e ngufatur ardhmërinë tonë. Sakrifica, vuajtja dhe ëndrra e qytetarëve të Kosovës ka qenë dëshira dhe shpresa për një Kosovë pak më ndryshe;një Kosovë të vlerave, të sakrificave, të vizionit dhe të promovimit të kulturës dhe jo nënçmim të vlerave nga të paarsimuarit.

Se nga kjo taksë fituan disa, këtë po e dimë. Se pse ka rënë në këtë grackë Kosova, këtë besoj se do ta mësojmë. Por, a do të jetë vonë?