LAJMI I FUNDIT:

Taksa 100 për qind – përfituesi kryesor nuk ishte Shqipëria

Taksa 100 për qind – përfituesi kryesor nuk ishte Shqipëria

Në fund të vitit 2018, Qeveria e Kosovës vendosi një tarifë doganore në masën 100 për qind për importin e produkteve nga Serbia.

Taksa u bë objekt debatesh të ashpra politike që vazhdojnë ende, por nga këndvështrimi i Shqipërisë u pa mbi të gjitha si një mundësi për të rritur këmbimet tregtare me Kosovës dhe sidomos për shtuar praninë e produkteve tona në tregun kosovar.


Por, statistikat e tregtisë së jashtme për vitin e kaluar treguan se kjo pritshmëri është përmbushur vetëm pjesërisht.

Për vitin e kaluar, Shqipëria eksportoi drejt Kosovës mallra në vlerën e afërsisht 30 miliardë lekëve, në rritje me 10% krahasuar me vitin 2018. Në strukturën e eksporteve shqiptare drejt Kosovës dominojnë materialet e ndërtimit dhe metalet, që përbëjnë 46 për qind të totalit.

Duke pasur parasysh se taksa doganore pothuajse e mbylli tregun kosovar për mallrat serbe, mendohej se rritja e eksporteve shqiptare do të ishte më e lartë.

Po të shohim statistikat e tregtisë së jashtme të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, rezulton se në fakt përfituesi kryesor mes fqinjëve nga taksa kundër produkteve serbe ka qenë në fakt Maqedonia e Veriut.

Importet maqedonase u rritën me 43 për qind për 11 mujorin e vitit 2019, rritje kjo mbi katër herë më e lartë krahasuar me importet nga Shqipëria. Ndërkohë, jashtë rajonit, është vërejtur një rritje e ndjeshme e importeve nga vendet e Bashkimit Evropian dhe nga Turqia.

Paaftësia e prodhimeve shqiptare për të “pushtuar” tregun kosovar mund të lidhet me arsye të ndryshme, që nga ato ekonomike e deri tek problemet politike dhe administrative. Industria prodhuese në Shqipëri duket se ngelet e dobët dhe pak konkurruese, sidomos kur bëhet fjalë për të shitur produktet e saj në tregjet e jashtme. Rasti në fjalë duket se e dëshmon më së miri këtë.

Përveç kësaj, sipas sipërmarrësve, mes dy vendeve ka ende barriera burokratike dhe procedurale, që nuk i shërbejnë rritjes së këmbimeve tregtare.

Shembuj të sjellë nga bizneset janë taksa për kalimin në rrugën e kombit, tarifat në terminalet doganore dhe ato për skanimin e kontejnerëve, certifikatat fitosanitare, çmimet e referencës, tarifat e skanimit të kamionëve, etj. Së fundmi, ekziston edhe një ftohje e qartë mes qeverive të dy vendeve, çka sigurisht nuk ndihmon në përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare. /Scan/