LAJMI I FUNDIT:

Takohen Mehmeti dhe Zemaj, flasin për çështjen e mbulueshmërisë së sigurimeve shëndetësore

Takohen Mehmeti dhe Zemaj, flasin për çështjen e mbulueshmërisë së sigurimeve shëndetësore

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti ka pritur në takim ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Në takim është diskutuar për masat që i ka ndërmarrë BQK-ja në ndihmë ekonomisë, por edhe në respektimin e të gjitha masave të kërkuara nga ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, përcjell Telegrafi.


“Guvernatori Mehmeti dhe ministri Zemaj adresuan mbarëvajtjen e procesit të policave të sigurimit shëndetësorë dhe çështjen e mbulueshmërisë së sigurimeve shëndetësore nga kompanitë e sigurimeve, që operojnë në Kosove në trajtimin e rasteve të COVID-19. Në këtë kontekst u diskutuan edhe zhvillimet dhe dinamika për plotësimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore dhe sfidat të cilat duhet të adresohen përmes këtij Ligji, përfshirë në veçanti situatat e ballafaqimit me pandemi të përmasave botërore siç është COVID-19”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Zemaj shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar edhe më tutje me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik që do të jetë në funksion të ruajtjes dhe rimëkëmbjes së ekonomisë. /Telegrafi/