LAJMI I FUNDIT:

Takimi i sotëm Kosovë-Serbi në Bruksel, AAK: Të bisedohet vetëm për njohje reciproke

Takimi i sotëm Kosovë-Serbi në Bruksel, AAK: Të bisedohet vetëm për njohje reciproke

Pas tensionimit të situatës, si pasojë e aplikimit të reciprocitetit për targat e automjeteve serbe, pala kosovare dhe ajo serbe po zhvillojnë sot takime në Bruksel.

Në takimin e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, prezent është edhe zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar, i cili tashmë ka zhvilluar takim me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe me shefin e zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.


Takimi mes palës kosovare dhe asaj serbe vjen pikërisht në kohën kur në Mitrovicë është situata më e tensionuar për shkak të masës së reciprocitet me targa, që Qeveria e Kosovës ka vendosur ta aplikojë para 10 ditësh. Një vendim të tillë e kanë kundërshtuar ashpër serbët lokalë, të cilët edhe kanë bllokuar dy rrugë që shpien në vendkalimet kufitare Jarinë dhe Bërnjak.

Serbët kanë bllokuar me kamionë rrugët, teksa kanë ngritur edhe tenda në afërsi të tyre. Në vendkalimet kufitare tashmë janë vendosur edhe Njësia Speciale e Kosovës të cilët janë duke monitoruar gjendjen, po ashtu në vendkalimet kufitare kanë dalë edhe pjesëtarët e KFOR-it.

E lidhur me takimin që do të zhvillohet sot në Bruksel, për Telegrafin është deklaruar deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, e cila njëherësh është edhe anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme.

Kadrijaj pohoi se edhe para se të ishte situata e tensionuar në veri, dialogu nuk ka qenë transparent.

“Edhe pa qenë situata e tensionuar ka qenë një dialog jo transparent që as kryeministri as zëvendëskryeministri nuk kanë ardhur që të raportojnë, kemi ditur se çfarë po dialogojnë përmes deklaratave të shkurta që i kanë dhënë për media”, ka deklaruar ajo.

Duke folur për gjendjen në veri, Kadrijaj tha se vendimi për masën e reciprocitetit për targa për Serbinë është marrë pa një koordinim me ndërkombëtarët. Megjithatë, sipas saj, ky vendim duhet respektuar.

“Por tash është situata e tensionuar, sepse vendimi për targat ishte i pakoordinuar me ndërkombëtarët e as me faktorin politik në Kosovë, por ne jemi që të respektohet ligjshmëria, kushtetuta e Kosovës. Nuk e di se çka do të prodhojë takimi, por ajo çfarë duhet të dialogohet në këto momente është njohja reciproke dhe përfundimi i procesit të dialogut”, tha Kadrijaj.

Ndryshe, sot në Bruksel Kosovën do ta përfaqësojë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ndërsa nga pala serbe do jetë Petar Petkoviq.

Takimin si zakonisht do ta udhëheqë ndërmjetësi i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak.

Gjithashtu në Bruksel do të jetë edhe Zëvendë-ndihmës Sekretari për Çështje të Evropës dhe Euro Azisë në Departamentin amerikan të Shtetit, njëherësh i dërguar i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, por ai nuk do të jetë pjesë e takimeve zyrtare. /Telegrafi/