LAJMI I FUNDIT:

Kurti, komandanti i KFOR-it dhe shefi i EULEX-it bien dakord: Nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë

Kurti, komandanti i KFOR-it dhe shefi i EULEX-it bien dakord: Nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë

Zyra e Kryeministrit ka dalë me një njoftim lidhur me takimin që ka zhvilluar sot kryeministri Albin Kurti, me komandantin e KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia dhe Shefin e EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark.

Sipas njoftimit thuhet se në takimin e përbashkët me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u bisedua për bashkëpunimin e afërt ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe misionit EULEX, përbrenda mandateve që kanë.

“U fol edhe lidhur me veprimet e strukturave kriminale në veri të Republikës së Kosovës, që cenojnë rëndë sigurinë në vend. Konstatim i përbashkët nga ky takim është se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë”, thuhet në njoftim.


Më tej në njoftim thuhet se gjatë takimit u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe bashkërendimin e veprimeve, në shërbim të paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që është qëllim dhe prioritet i përbashkët i institucioneve të Republikës së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it.

“U theksua profesionalizmi, maturia dhe guximi i dëshmuar i Policisë së Kosovës, në ruajtje të sigurisë dhe rendit publik në mbarë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/