LAJMI I FUNDIT:

Takimi im me Milan Kunderën

Takimi im me Milan Kunderën

Ylli Demneri

Ndonëse kam pasur rastin të takohem me artistë të njohur: aktorë, regjisorë, shkrimtarë, piktorë etj, nuk u kam kërkuar asnjëherë autografe. Sepse, nuk e kam ndier të nevojshme e, kësisoj, as që më ka shkuar në mendje. Por, kam bërë vetëm një përjashtim. Ai është Milan Kundera.

U takuam rastësisht në teatrin “Gaîté-Montparnasse”, ku punoja para shumë vitesh. Nuk do ta shqetësoja për një gjë të tillë, por romanin e tij “Shakaja” e kisha lexuar fshehtas dhe e ruaja akoma të freskët emocionin që të ngjall leximi i diçkaje të ndaluar. Nuk ishte fjala për një roman pornografik të lexuar fshehtas prindërve e syve të tjerë, por bëhej fjalë për një vepër “subversive”, ku flitej për absurditetin e sistemit komunist në të cilin jetoja. Po të më kishin vënë në shënjestër, leximi i atij libri do të mjaftonte për të më dënuar të paktën tetë vjet për agjitacion e propagandë. Dhe, më e keqja ishte se shumica do të thoshin: “Mirë ia bënë, ç’i duhej atij të lexonte Kunderën!” (Tani që mundohem të sjell ndërmend atë atmosferë e shoh se koha ka bërë të sajën. Shumë gjëra janë zbehur. Shumë detaje janë harruar. Ka mbetur vetëm imazhi i një nate të errët).


Takimi me Kunderën, i cili kishte jetuar të njëjtën gjë si dhe unë, nuk ishte si me të tjerët. Mund të kuptoheshim pa folur gjatë mbi diktaturën. Dhe ashtu ndodhi. Biseduam gati gjysmë ore rreth situatës aktuale në Shqipëri. Kishte një modesti që përkonte me imazhin që kisha krijuar për të vetëm nga leximi i librave. Një përqendrim e vëmendje në bisedë që rrallë ndodh gjatë takimeve me personalitete të njohura si ai. Ishte bashkë me të shoqen. “Gruaja ime, Vera”, tha duke drejtuar dorën drejt saj.

“E çuditshme, para disa ditësh jam takuar për herë të parë me Ismail Kadarenë dhe gruan e tij … Helena, më duket?”, dhe u drejtua nga e shoqja. Ajo bëri po me kokë. “Shumë simpatikë. Dhe sot po takoj një shqiptar tjetër!”, shtoi duke qeshur.

Gjatë kohës që po bisedonim dërgova një nga vajzat që punonin në teatër që të shkonte e të blinte një libër të Kunderës. Harrova që ishte ditë e diel dhe të gjitha libraritë ishin mbyllur. Për fat të mirë, ajo u kthye me librin “Arti i romanit” në format xhepi. Më tha se e kishte gjetur në një nga kioskat e stacionit të trenit Montparnasse që ndodhej aty afër. Kur i kërkova autografin, i thashë se e bëja këtë për dy arsye: e para se ishte një autor që e kisha lexuar fshehtas, falë një miqësie me njërën nga punonjëset e bibliotekës kombëtare (çka e bëri të buzëqeshë) dhe e dyta, atë ditë kisha ditëlindjen.

Më uruan të dy. Hapi fletën e parë të librit dhe mbi të shkroi: “Paris 1995. Pour Ylli avec ma sympathie et pour son anniversaire. Milan Kundera” (Me simpatinë time për Yllin dhe me rastin e ditëlindjes së tij). Duke vendosur në bibliotekë botimin e tij të fundit me ese “Një takim”, tërhoqa librin “Arti i romanit” që ndodhej aty pranë dhe duke e shfletuar ndesha në shënimin e Kunderës (Më kujtohej ngjarja, por aspak titulli i librit dhe viti). Vura re që kishin kaluar njëzet vjet. Letra kishte filluar të zverdhej.