LAJMI I FUNDIT:

Takimi historik në Shtëpinë e Bardhë: Richard Nixon – Elvis Presley

Takimi historik në Shtëpinë e Bardhë: Richard Nixon – Elvis Presley

Pse Elvis Presley në dhjetor të vitit 1970 kërkoi të takohet me presidentin amerikan Richard Nixon? Çfarë kërkonte “Mbreti i Rock’n’Rollit” nga Nixoni? Pse Nixoni refuzoi ofertën e Presleyit?

Në kohën kur rock muzika vazhdonte të jetë e stigmatizuar me thënien e njohur “sex, drogë dhe rock’n’roll”, mbreti i rockut, Elvis Presley, është takuar me Richard Nixonin, kryetari i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës!

Ky takim, ishte sensacion i madh, i cili, në masë të caktuar do të mund të krahasohej me zbritjen e njeriut në Hënë një vit më parë.

Historia e këtij takimi vërtet është shumë e çuditshme. Derisa qëndronte në një hotel të Washingtonit, Elvis Presley, i cili në atë kohë akoma ishte në gjendje të mirë shëndetësore, përkundër të gjithave vendosë t’i drejtohet Nixonit me një letër.

LETRA E ELVISIT PËR NIXONIN

Në të, Presley, pos tjerash thekson: “Unë jam Elvis Presley. Kam një respekt të madh për ju dhe për zyrën tuaj. Kam biseduar me nënkryetarin Agnew në Palm Springs tri javë më parë ku ia shpreha shqetësimet e mia për vendin tonë. Kultura e drogës, hipie-elementët, SDS, Panterët e Zi etj., nuk më konsiderojnë mua si armiq të tyre apo siç i thonë ata establishmentit. Zotëri, unë mund të jem në çfarëdo shërbimi tuaj i cili do të ndihmojë atdheut t’i tejkalojë problemet e sotme. Unë nuk kam shqetësime dhe motive të tjera përveçse t’i ndihmojë Atdheut tim. Prandaj, unë nuk kërkoj farë titulli apo pozicioni të dhuruar. Unë mund dhe do të bëjë gjëra të mira nëse do të caktohem Agjent Federal dhe unë këtë funksion do ta kryej si duhet duke komunikuar me njerëzit e moshave të ndryshme. Para dhe mbi të gjitha unë jam zbavitës, por krejt çka më nevojiten janë kredencialet federale. Zotëri, unë jam duke qëndruar në Washington Hotel, në Dhomat 505 – 506 – 507. Do të qëndroj këtu sa kohë të nevojitet për t’i marrë kredencialet e Agjentit Federal. Kam bërë studime të thella të abuzimit përmes drogave dhe të teknikave trularëse komuniste dhe vërtet mund të ndihmojë shumë. Jam nominuar për vitin që vijon si njëri nga dhjetë personalitetet e reja të jashtëzakonshme të Amerikës. Do të dëshiroja të takohem me ju, të ju them vetëm tungjatjeta, nëse ju nuk jeni shumë të zënë”, transmeton Telegrafi.

NJË COLT 45 DHE DISA FOTOGRAFI FAMILJARE SI DHURATË

Në fund të letrës, Elvis Presley shkruante që për bindjen e tij, Richard Nixon është njëri prej dhjetë personaliteteve të jashtëzakonshme të Amerikës. Po ashtu, Presley shtonte që ka disa dhurata personale për Nixonin.

Me 21 dhjetor të atij viti (1970), në Shtëpinë e Bardhë, Nixon do të pres Elvis Presleyin në takimin gjithsesi historik për rockun dhe për historinë politike të Amerikës.

Presley i dhuroi Nixonit një Colt 45 dhe disa fotografi familjare. Presley gjatë takimit sërish përsëriti idenë e tij për t’u caktuar Agjent Federal në Byronë e Narkotikëve dhe të Drogave të rrezikshme. Presley dhe Nixon biseduan edhe për telashet e tyre familjare.

Ishte një takim i përzemërt dhe vërtetë i çuditshëm për Shtëpinë e Bardhë. Presley, në këtë mënyrë, dëshmoi që është një amerikan i zakonshëm, i cili çmon lartë presidentin dhe institucionin më të rëndësishëm të politikës amerikane: Shtëpinë e Bardhë. Zatën, respektin e tij ndaj shtetit amerikan Presley e kishte treguar edhe më parë, kur shërbeu në Armatën amerikane, në bazën e saj në Gjermani.

Por, edhe presidenti Nixon përfitoi nga ky takim: Në këtë mënyrë, ky dëshmoi që nuk është një konservativ i mërzitshëm i cili nuk di të vlerësojë rininë dhe aspiratat e saja, veçanërisht në vitet e intensifikimit të Luftës së Vietnamit. Nëse ju kujtohet, në filmin epik të Oliver Stonet, “Nixon”, ku rolin e presidentit amerikan e luante Anthony Hopkins, Nixoni bën një takim spontan me studentët amerikanë në Memorialin e Lincolnit, duke provuar t’ju shpjegojë se ai i kupton shqetësimet dhe frustrimet e rinisë, por që edhe ata duhet të kuptojnë pozicionin e tij si President i Amerikës.

WATERGATE DHE VDEKJA E “MBRETIT” TË ROCKUT

Sidoqoftë, takimi Nixon-Presley, përpos disa fotografive historike, nuk solli rezultatin të cilin e dëshironte “Mbreti i Rockut”. FBI nuk iu bind dëshirës së Elvis Presleyit për tu caktuar agjent i cili do të luftonte të keqen në shoqërinë amerikane, e cila, për shumicën e udhëheqësve të FBI-së, vinte pikërisht prej rockut dhe Elvis Presleyit. Në atë kohë, ta zëmë, John Lennonit, liderët të The Beatles-ëve të famshëm, nuk i jepej leja e qëndrimit të përhershëm në Amerikë, sepse llogaritej që Lennon është “element subversiv” i cili mund të sjellë telashe të mëdha shtetit amerikan.

Në letrën të cilën me 31 dhjetor të vitit 1970 ia ktheu Presleyit, pas takimit, Nixon pos tjerash shkruante që për të ka qenë kënaqësi të presë Presleyin dhe të dëgjojë propozimet e tij shumë interesante. Nixon iu falënderua për dhuratat dhe i bëri të fala zonjës Prisley dhe vajzës së tyre Lisa.

Lisa, shumë vite më vonë, do të bëhet gruaja e Michael Jacksonit, në një martesë e cila për shumëkënd do të mbetet enigmatike.

Kështu pra përfundoi takimi historik i Elvis Presleyit dhe Richard Nixonit.

Nuk do të vonojë dhe Nixon do të detyrohet të japë dorëheqje nga posti i presidentit të Amerikës për shkak të aferës Watergate. Në gusht të vitit 1977, Presley do të vdes në vendlindjen e tij, si pasojë e përdorimit të tepruar të drogës dhe alkoolit. Por, popullariteti i Presleyit është i njëjti si dikur… /Telegrafi/