LAJMI I FUNDIT:

Tahiri për shkarkimin e bordeve: Është një çështje shumë problematike dhe serioze

Tahiri për shkarkimin e bordeve: Është një çështje shumë problematike dhe serioze

Çështjen e shkarkimeve të bordeve, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e ka ngritur si shqetësim në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës të mbajtur këtë të enjte.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri pas mbledhjes para gazetarëve tha se shkarkimi i bordeve pa një analizë është precedant i keq e i cili mund të kthehet në një kulturë që nuk i bënë mirë vendit.

“Ngrita dhe njëherë një çështje që për vlerësimin tim është një çështje shumë problematike dhe serioze ajo e shkarkimit dhe intervenimit të shumicës parlamentare rreth qeverisë në institucionet e pavarura që i raportojnë Kuvendit. Shkarkimi i një organi kolektiv, shkarkimi i bordeve dhe institucioneve tjera pa e bërë një vlerësim të saktë është gabim është precedant i keq, dhe mbi të gjitha do të kthehet në një kulturë që nuk i bënë as hajër vendit, as qeverisë dhe as shumicës parlamentare të VV-së”, ka thënë Tahiri.

Ai ka shtuar se ka kërkuar që në çfarëdo rrethane kur niset një iniciativë për një shkarkim apo situatë ku duam të ndërrojmë një lidership të institucioni kjo të bëhet mbi bazën e një vlerësimi, jo vetëm të një organi kolektiv por edhe individual.