Szczesny zbulon prapaskenat: Sezoni i parë te Barça? Vetëm për të shlyer Juventusin

Portieri Wojciech Szczesny ka rrëfyer prapaskenat e jashtëzakonshme të transferimit të tij nga Juventusi te Barcelona, duke zbuluar se sezoni i tij i parë në Spanjë ka qenë praktikisht i papaguar.
Në një intervistë për “GQ Poland”, portieri polak pranon se kishte qenë shumë pranë pensionimit para se të merrte telefonatën vendimtare nga Barça.
“Tre ditë para se të shpallja zyrtarisht pensionimin, i thashë Lewandowskit se nuk doja të luaja për asnjë klub… përveç Barcelonës”.
“Kur më telefonuan, e dinin që do të ishte e lehtë të më bindnin. Nuk e kisha humbur pasionin për futbollin, por nuk isha aspak entuziast për ofertat nga klubet e top 10. Nuk ishte çështje parash… nuk doja të luaja vetëm për para”.

Dhe vërtet, sezoni i tij i parë në “Camp Nou” ishte thuajse falas.
“Gjithçka që mora financiarisht nga Barcelona ishte saktësisht aq sa më duhej për të paguar Juventusin për ndërprerjen e kontratës”.
Para transferimit, Szczesny ishte ulur në stol te Juventus, ku u zëvendësua nga ardhja e Di Gregorios.
Pas shtatë vitesh dhe tetë trofeve me bardhezinjtë, ai vendosi të prishte kontratën një vit para afatit. Klauzola kërkonte që portieri të paguante 2 milionë euro – një shumë që përkonte me rrogën që i ofroi Barcelona, duke e bërë transferimin të rrjedhshëm dhe pa pengesa./Telegrafi


















































