LAJMI I FUNDIT:

Syla paralajmëron ngritjen e Memorialit për vëllezërit Bytyqi në qendër të Prishtinës

Syla paralajmëron ngritjen e Memorialit për vëllezërit Bytyqi në qendër të Prishtinës

Deputeti i AAK-së, Gazmend Syla ka njoftuar se ka nisur iniciativën për ngritjen e memorialit për nder të vëllezërve Bytyqi, në qendër të Prishtinës.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një shkrimi në Facebook.


“Ndjehem i nderuar dhe i privilegjuar për mundësinë e dhënë nga gjenerali Daut Haradinaj dhe bashkëluftëtarët, që të marrë iniciativën për ngritjen e Memorialit për vëllezërit Bytyqi në qendër të Prishtinës. Po ashtu pas komunikimit me familjarët e Heronjve, shpreha gatishmërinë e koordinimit me ta në të gjitha detajet e këtij projekti kombëtar”, ka shkruar Syla.

Agron, Yll dhe Mehmet Bytyçi erdhën nga ShBA-ja për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata janë vrarë në vitin 1999, pasi paraprakisht u patën arrestuar nga autoritetet serbe.

Ndonëse kanë kaluar 21 vjet nga vrasja e vëllezërve Bytyqi, deri sot nuk ka asnjë të dënuar për këtë krim.

Përpos institucioneve të Kosovës, kjo vrasje ka qenë pikë presioni e ShBA-së ndaj Serbisë, pasi Amerika kërkon me ngulm që të ketë epilog lidhur me vrasjen e shtetasve të tyre./Telegrafi/