Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, kanë realizuar sot një aksion nën dyshimet për spiunazh.

Si rezultat i këtij aksioni një zyrtar policor i nacionalitetit serb ka rënë në pranga.


Telegrafi raportoi më herët se i arrestuari është Bojan Jevtiq i cili mbanë pozitën e zëvendëskomandantit të policisë në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”.

Arrestimin e tij e ka konfirmuar edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Po është e vërtetë, dua të përgëzoj AKI-në,IPK-në dhe Prokurorinë për këtë aksion jashtëzakonisht të rëndësishëm. Më shumë informacione nuk mund të ju jap, por sinqerisht mund të ju them se kështu rritet besimi në organet e sigurisë”, ka thënë Sveçla para mediave.

Ndërkaq në një postim në Facebook, ministri në detyrë theksoi se po çmontohen me sukses rrjetet e spiunazhit në Kosovë

"Pas një hetimi të gjatë nga institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës, përkatësisht Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Inspektoratit të Policisë së Kosovës, Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, sot është arrestuar zyrtari policor Bojan Jevtić, nën dyshimin për veprimtari të kundërligjshme të spiunazhit për llogari të strukturave të sigurisë së Serbisë. Ky është i arrestuari i gjashtë me radhë për rastet e spiunazhit në Kosovë. Njëri nga të dyshuarit tashmë e ka pranuar fajësinë, duke konfirmuar seriozitetin, profesionalizmin e institucioneve si dhe përfshirjen e Serbisë në përpjekjet destabilizuese ndaj Republikës së Kosovës", ka shkruar Sveçla.

Sveçla ka shtuar se fatin e këtyre rasteve do ta ketë dhe kushdo tjetër që përpiqet të minojë punën dhe rolin e besuar në Polici.

"Ndaj si çdo herë do të jemi të pakompromistë dhe vigjilentë përballë çdo përpjekje që nëpërmjet hapësirës që vendi ynë u jep në Polici të kthehet në sulm ndaj republikës sonë. Profesionalizmi, bashkëpunimi dhe bashkërendimi i institucioneve të sigurisë të Republikës së Kosovës edhe ketë here ka treguar se është thelbësor në arritjen e rezultateve në luftën ndaj veprimtarive të kundërligjshme në mënyrë specifike atyre të rrezikshmërisë së lart që shpesh herë burimin e kanë në strukturat e inteligjencës serbe.

Republika e Kosovës, si asnjëherë më parë, po e forcon sovranitetin, integritetin dhe rendin kushtetues, dhe në këtë mision të shenjtë edhe përcaktimi ynë për përkrahje të gjithanshme të institucioneve të sigurisë ka treguar se është esenciale në ketë drejtim. Luftimi i veprimtarive të kundërligjshme do të vazhdoj sikurse jam i bindur se edhe sukseset nuk do të mungojnë", ka shkruar ministri.

Ndryshe nga institucionet e sigurisë ende nuk janë dhënë detaje tjera rreth këtij aksioni. /Telegrafi/