Superkompjuteri i Opta-s ka përditësuar gjatë ditës së sotme (e enjte), 11 shtator, parashikimet për favoritët e Ligës së Evropës për sezonin 2025/26.

Liga e Evropës për sezonin 2025-26 fillon të mërkurën, më 24 shtator, me nëntë ndeshjet e para të javës së parë të fazës së ligës, dhe nëntë të tjerat një ditë më vonë.


Për këtë edicion që pritet të jetë i ‘çmendur’ tashmë kanë filluar parashikimet.

Sipas superkompjuterit të kompanisë së specializuar Opta, Aston Villa është parashikuar favorit për të fituar Ligën e Evropës këtë edicion me 21.6 për qind shanse për të ngritur trofeun.

Klubi anglez është vendosur para italianëve të Romës, të cilët shihen favoritët e dytë me 12.8 për qind shanse dhe Nottingham Forest që renditen në pozitën e tretë me 11.3 për qind gjasa për të triumfuar.

Pas tyre përfshihen klube tjera të njohura si francezët e Lille të katërtit me 10.1 për qind dhe Lyon të pestit me 8.3 për qind shanse.

Feyenoordi me 5.2% renditet në pozitën e gjashtë, Bologna me 5.1% i shtati, Porto i teti me 4.3%, Stuttgarti i nënti me 2.8% dhe Real Betisi i dhjeti me 2.6% shanse.


Pas tyre më pozitat nga 11-20 vijnë ekipe tjera si Fenerbahce, Celtic, Braga, Crvena Zvezda, Genk, Nice, Celta Vigo, Midtjylland, Dinamo Zagreb dhe Utrecht.

Ndryshe, superkompjuteri i Opta-s e ka simuluar garën e Ligës së Evropës 2025/26 plotë 10,000 herë dhe ka konfirmuar këto përqindje. /Telegrafi/

telegrafi sport app