"Sunny Hill Festival" vetëm tri javë larg – publikohen pamje emocionuese nga edicioni i kaluar, fansat numërojnë ditët

Festivali më i madh muzikor në Kosovë, Sunny Hill Festival, është vetëm tri javë larg dhe emocionet kanë filluar të rriten ndjeshëm.
Organizatorët kanë publikuar së fundmi në llogarinë zyrtare në Instagram një video përmbledhëse nga edicioni i vitit të kaluar, duke sjellë kujtimet më të mira të një fundjave të mbushur me energji, muzikë dhe momente të paharrueshme.
“Pritjes po i vjen fundi. Vetëm edhe tri javë deri te fundjava që të gjithë e kemi pritur”, shkruhet në përshkrimin e videos, një mesazh që ka ngjallur reagime entuziaste nga fansat që tashmë po numërojnë ditët deri në rikthimin e festivalit.
Edicioni i sivjetmë i Sunny Hill Festival do të mbahet nga data 1 deri më 3 gusht në parkun “Sunny Hill” në fshatin Bërnicë e Epërme, afër Prishtinës, duke e kthyer për të pestin vit me radhë këtë hapësirë në epiqendër të muzikës moderne dhe skenës ndërkombëtare.
Line-up-i për këtë vit është më i fuqishëm se kurrë, me emra të njohur botërisht si Dua Lipa, e cila është edhe bashkëthemeluese e festivalit, Shawn Mendes, producenti Anyma, legjenda e muzikës elektronike FatBoy Slim, Mochakk dhe DJ-ja e famshme Peggy Gou.
Përveç artistëve ndërkombëtarë, publiku do të ketë mundësinë të shijojë performancat edhe nga yjet më të mëdhenj të skenës shqiptare, përfshirë MC Kresha dhe Lyrical Son, Ledri Vula, Tayna, Kida, Era Istrefi e shumë të tjerë, të cilët do të sigurojnë që atmosfera të jetë e zjarrtë në çdo moment të festivalit.
Me një reputacion që sa vjen e rritet, Sunny Hill ka arritur të sjellë në Kosovë jo vetëm muzikë të nivelit më të lartë, por edhe të promovojë vendin si një qendër kulturore në rritje.
Tri javë para nisjes së festivalit, entuziazmi është i prekshëm në rrjetet sociale dhe në komunitetin e fansave që mezi presin të jenë pjesë e kësaj feste të madhe muzikore që i jep verës në Prishtinë një kuptim të veçantë. /Telegrafi/



























































