Sulmuesi argjentinas i mbyll derën Barcelonës, përqendrohet te Atletico Madrid

Në një intervistë të dhënë për gazetën Marca, sulmuesi argjentinas Julian Alvarez ka deklaruar se nuk e shqetëson aspak fakti që emri i tij lidhet vazhdimisht me Barcelonën.
Megjithatë, menjëherë pas kësaj, ai theksoi se për momentin është i përqendruar tërësisht te Atletico Madrid.
Prej muajsh, shumë media e kanë përmendur Alvarezin si kandidat ideal për të zëvendësuar Robert Lewandowskin, i cili pritet të largohet nga Barcelona në fund të këtij sezoni.

I pyetur sërish për këto spekulime, “La Arana” u shpreh se nuk e bezdisin thashethemet, por shtoi se nuk u kushton shumë vëmendje.
“Nuk më shqetëson. Mundohem të mos lexoj shumë, por e di që flitet shumë në rrjetet sociale. Mendoj se është më shumë ajo që thuhet sesa ajo që ndodh realisht. Unë jam i fokusuar te ky sezon dhe te ajo që kemi përpara me Atletico Madrid”.
“Përpiqem të largohem nga zhurma dhe të mendoj për veten, për të vazhduar rritjen si lojtar dhe për të fituar”, përfundoi Alvarez.

Gjatë intervistës së gjerë për Marca, sulmuesi nënvizoi edhe potencialin e skuadrës së Diego Simeones, duke e konsideruar Atleticon të aftë të luftojë për të gjitha trofetë.
“Po, mendoj se sot jemi në gjendje t’i bëjmë ballë kujtdo. Klubi ka bërë hapa të mëdhenj përpara. Në këtë afat kalimtar erdhën shumë lojtarë me cilësi dhe eksperiencë, dhe besoj se Atletico ka ende hapësirë të madhe për t’u përmirësuar në atë që vjen më tej”, përfundoi sulmuesi argjentinas. /Telegrafi/




















































