Sulmi me shpatë në shkollën suedeze: arrestohet personi i dytë

Një person i dytë është arrestuar në Suedi në lidhje me sulmin vdekjeprurës me shpatë në një shkollë, ku një 17-vjeçare humbi jetën dhe tre nxënës të tjerë u plagosën.
Sulmi ndodhi më 21 gusht në shkollën Brinell në Fagersta, në veriperëndim të Stokholmit, ndërsa mësimi ishte duke u zhvilluar.
I arrestuari i dytë dyshohet se ka ndihmuar në vrasje dhe tentativë vrasjeje, por prokurorët nuk kanë bërë të ditur moshën e tij apo rolin konkret që dyshohet se ka pasur.
Ndërkohë, një nxënës 18-vjeçar ndodhet tashmë në paraburgim, nën dyshimin se ka kryer sulmin. Dy djem, 12 dhe 17 vjeç, u plagosën rëndë, ndërsa një tjetër, nën 18 vjeç, pësoi lëndime më të lehta.
Policia hapi zjarr gjatë operacionit për arrestimin e të dyshuarit kryesor, por ai nuk u qëllua, transmeton Telegrafi.
Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu nëse 18-vjeçari kishte lidhje me komunitete online që glorifikojnë sulmet në shkolla. Një llogari në TikTok që raportohet se i përkiste atij u fshi pas sulmit. Para fshirjes, në të thuhej se kishte materiale që glorifikonin sulmet në shkolla, si dhe një fotografi të një shpate brenda një tualeti të shkollës.
Motivi i sulmit ende nuk është bërë i ditur.
Ngjarja ka rikthyer shqetësimet për dhunën në shkollat suedeze. Në vitet e fundit, vendi është përballur me disa sulme vdekjeprurëse, përfshirë masakrën në Örebro në vitin 2025, ku u vranë 11 persona, përfshirë autorin e sulmit. /Telegrafi/





































