Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i ka dërguar urime presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, duke shprehur dëshirat për paqe dhe rimëkëmbje të vendit.

Në letrën e tij, Vuçiq thekson se Serbia respekton Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe integritetin territorial të Ukrainës.


“Serbia respekton Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe, në përputhje me të, integritetin territorial të Ukrainës”, thuhet në letrën e presidentit serb.

Vuçiq ka deklaruar gjithashtu se Serbia do të vazhdojë të ofrojë ndihmë humanitare për qytetarët e Ukrainës.

Zelensky e ka falënderuar publikisht Vuçiqin për urimet, duke e veçuar pikërisht qëndrimin e Serbisë ndaj integritetit territorial të Ukrainës.

“E vlerësoj mbështetjen e Serbisë për integritetin territorial të Ukrainës dhe përkushtimin ndaj parimeve të Kartës së OKB-së. Jam mirënjohës ndaj Serbisë dhe popullit serb për mbështetjen e tyre humanitare për Ukrainën gjatë kësaj kohe të vështirë", ka shkruar Zelensky.

Ky qëndrim i Vuçiqit për integritetin territorial të Ukrainës vjen në një kohë kur Serbia vazhdon të mbajë marrëdhënie të afërta me Rusinë, ndërsa njëkohësisht synon avancimin e saj drejt Bashkimit Evropian. /Telegrafi/