LAJMI I FUNDIT:

Sulmet kibernetike në Kosovë, çfarë thanë Berisha, Quni dhe Qalaj

Sulmet kibernetike në Kosovë, çfarë thanë Berisha, Quni dhe Qalaj

Cak i sulmeve kibernetike, ditëve të fundit, në vendin tonë vazhdimisht janë institucionet shtetërore, mediat dhe biznese të ndryshme. Sulme të tilla janë raportuar edhe në vendet e rajonit, për të cilat nuk ka shumë informata se nga kush dhe pse po bëhen.

Sulmet kibernetike shkaktuan probleme me internetin dhe rënie të ueb faqeve zyrtare të disa institucioneve qeveritare, bizneseve dhe mediave.


Me qëllim të parandalimit të këtyre sulmeve kibernetike, Qeveria e Kosovës këtë javë ka miratuar Projektligjin për Sigurinë Kibernetike, i cili pritet të shkojë në Kuvendin e Kosovës për t’u proceduar tutje, deri në miratimin e tij.

Në lidhje me këtë Telegrafi ka realizuar intervista me anëtarët e Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje, Anton Qunin nga LDK dhe Rashit Qalaj nga PDK, si dhe me kryetarin e këtij komisioni, që vjen nga radhët e AAK-së, Bekë Berisha.

Bekë Berisha ka thënë për Telegrafin se këto sulme janë të influencuara nga Rusia edhe përmes Serbisë.

Bekë Berisha, AAK

Berisha u shpreh se është në dijeni që disa institucione të vendit janë sulmuar. Mirëpo, siç tha ai, ekspertët ende nuk e kanë bërë një definicion të luftës hibride.

“E di që ndodhin herë pas here. E di që ndodhin në luftën hibride e financuar dhe influencuar nga Rusia edhe përmes Serbisë. E di që janë sulmuar Telekomi, portale, bizneset, etj. Kjo është luftë hibride, e cila është shumë dimensionale dhe kjo paraqitet me dezinformim, me pengesa kibernetike, në rrjete sociale me media… Ekspertët ende nuk e kanë bërë një definicion të luftës hibride”, ka thënë për Telegrafin.

Berisha po ashtu tha se Qeveria e Kosovës e ka miratuar Projektligjin për Sigurinë Kibernetike.

Sipas tij, Komisioni të cilin ai e kryeson nuk ka rol efektiv, por siç u shpreh, mund ta paralajmërojnë dhe të kërkojnë zbatueshmërinë e ligjit.

“Si duket duan të bëjnë një agjencion që do të kujdeset për këto sulme kibernetike. Ne nuk kemi rol efektiv, mund ta paralajmërojmë dhe të kërkojmë zbatueshmërinë e ligjit”, ka thënë ndër të tjera, Berisha.

Edhe deputeti i LDK-së, Anton Quni, njëherësh anëtar i Komisionit për Siguri në Kuvendin e Kosovës për Telegrafin, ka thënë se sulmet kibernetike janë shqetësim i të gjitha kombeve e shteteve.

Sipas tij, lufta kibernetike çdo ditë e më shumë po avancon dhe po shfaqet si një dimension i ri që mund të ndikojë dhe në interesat e sigurisë nacionale.

Anton Quni, LDK

“Është shqetësim i të gjitha kombeve e shteteve që po njihen me një dimension të ri, përveç konflikteve dhe luftërave konvencionale të njohura deri më tani. Lufta kibernetike çdo ditë e më shumë po avanson dhe po shfaqet si një dimension i ri që mund të ndikojë dhe në interesat e sigurisë nacionale. Lufta kibernetike çdo ditë e më shumë po avanson dhe po shfaqet si një dimension i ri, i cili mund të rrezikojë dhe interesat e sigurisë nacionale”, ka thënë ai.

Tutje ai tha se Kosova ka ngecje në trajtimin e luftës kibernetike, prandaj është cak i lehtë i këtyre sulmeve.

“Shumica e shteteve të cilët kanë ekspertizë, që kanë përvojë, kanë fonde, e trajtojnë më shumë prioritet këtë çështje, por ja që në Kosovë ne kemi ngecje në këtë. Pandaj jemi cak i lehtë i sulmeve kibernetike. Mund t’i atakojnë institucionet, organizatat e ndryshme deri në përmasat e paralizës, derisa t’i bëjnë jo funksionale”, theksoi Quni.

Ai shpreson që qeveria do t’i trajtojë me prioritet sulmet kibernetike duke pasur parasysh koeficientet e rrezikshmërisë.

“Shpresoj që qeveria do ta trajtojë me prioritet duke pas parasysh koeficientit e rrezikshmërisë që do të thotë duhet të fokusohet në infrastrukturën ligjore. Një ekspertizë të lartë, të përgatitjeve të kuadrove dhe aplikimin e teknologjive më të reja për mbrojtje kibernetike”, tha Quni.

Ndërkaq, po ashtu shtoi se si anëtar i Komisionit do ta jep kontributin për një ligj funksional, i cili do të mbrojë institucionet, qytetarët dhe interesin e përbashkët të të gjithëve.

Ndërsa, Rashit Qalaj nga PDK, për Telegrafin ka thënë se jo vetëm Kosova, por edhe vendet e tjera në rajon i janë ekspozuar një sulmi të tillë.

Qalaj tha se këto sulme janë të menduara mirë si dhe të organizuara nga “elementë”, të cilët siç tha ai dëshirojnë që Kosovës mos të ekzistojë.

“Mendoj që këto sulme janë të menduara mirë dhe janë të organizuara nga elemente të cilët realisht dëshirojnë që Kosova mos të ekzistojë fare”, tha ai.

Tutje Qalaj theksoi se ky është sulm ndaj shtetit të Kosovës, pasi sipas tij lufta kryesore bëhet në posedim të informacionit dhe të dhënave shtetërore.

“Për mua është direkt sulm në shtetin e Kosovës, për shkak se sot lufta kryesore bëhet në posedim të informacionit dhe të dhënave shtetërore. Mendoj që cak i këtyre sulmeve që kanë goditur Kosovën dhe Shqipërinë janë sekretet shtetërore dhe informatat që kanë”, u shpreh ai.

Deputeti i PDK-së theksoi se Kosova duhet të themelojë sa më shpejt që është e mundur kapacitetet sidomos ato njerëzore në mënyrë që të jetë sa më e përgatitur dhe sa më e mbrojtur nga sulmet e tilla kibernetike.

Ndryshe, Telegrafi kishte kontaktuar më njohës të fushës për të parë se pse po ndodh kjo.

Kastriot Fetahaj ekspert i sigurisë së softuerit, tha për Telegrafin se sulmet që kanë ndodh kohët e fundit janë sulme të tipit DDoS (distributed denial-of-service).

“Sulmet që po ndodhin kohët e fundit janë sulme që po ju drejtohen disa uebfaqeve të Qeverisë dhe mediave. Këto janë sulme të tipit DDoS që qëllimi i tyre është që një uebfaqe apo serverët ta qesin jashtë funksionit. Pra nëse provon të hysh në një uebfaqe nuk të hapet, ose të del shfaqet ERORR”, the Fetahaj.

Ai shtoi se këto lloj të sulmeve nuk kanë ndikim në të dhëna, pra nuk fshijnë, dëmtojnë ose vjedhin të dhëna, përveç që pamundësojnë qytetarët që të marrin shërbime digjitale.

Fetahaj thotë se nuk është problem përballja me sulme të tilla, derisa kritikoi Qeverinë për sistemin e dobët që ka.

Kastriot Fetahaj, ekspert i sigurisë së softuerit

“Zakonisht këto lloj sulmesh janë lehtë të menaxhueshme dhe të menjanueshme. Nëse ke një ekip të sigurisë profesional dhe dikush kryen një sulm të tillë brenda 5 minutash mundesh me ndal, por kjo nuk po ndodh në Qeveri apo në media. Kemi pas raste kohët e fundit që ka pas disa orë rënie të ueb faqeve të Qeverisë ndër të tjera e-Kosova”, tha Fetahaj.

Ai theksoi se sulmet e tilla DDoS shoqërohen me sulme më të avancuara, ku përmendi edhe rastin e fundit të Shqipërisë, e cila shkaku i këtyre sulmeve dje ndërpreu raportet diplomatike me shtetin e Iranit.

“Në rastin e Shqipërisë ka fillu si DDoS si teknik që me i shty administratorët e Qeverisë së Shqipërisë me u marr me këto sulme, pastaj sulmuesi ka fitu kohë edhe pastaj ka realizuar sulme më të mëdha. Në rastin e Shqipërisë kanë depërtuar deri në infrastrukturën e brendshme dhe kanë marrë edhe të dhëna”, tha Fetahaj.

Ndonëse ende nuk dihet origjina e sulmeve të fundit në faqet e Qeverisë së Kosovës dhe media ani pse është konfirmuar se kanë ardhur nga jashtë Kosovës, Fetahaj thotë se nuk mund ta dinë me saktësi se nga kanë ardhur.

“Trendi rajonal është që po sulmojnë grupet nga shteti i Iranit dhe Rusisë”, u shpreh ai.

Së fundmi, cak i sulmeve kibernetike ka qenë media të ndryshme të Kosovës përfshirë portalin Telegrafi, i cili suksesshëm është mbrojtur nga këto sulme.

Në anën tjetër një e-mail i ardhur në redaksinë e Telegrafit, i dërguar edhe në adresa të tjera elektronike të shumë institucioneve tjera dhe mediave në Kosovë, nga një person me pseudonimin “Anon Anterus”, në gjuhën angleze, shkruante se kjo është një deklaratë e luftës kibernetike. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme

"Vuçiq e mendonte Slloveninë Eldorado serbe, kurse diplomatët e saj vegla të tij", ish-diplomatë serbë flasin për skandalin e fundit të Vuçiqit

Lajme
“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

Drejtësi
Çitaku: Rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme do të jetë befasues

Çitaku: Rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme do të jetë befasues

Politikë
Rashiq për stërvitjet ushtarake serbe: Duan vetëm t’i tregojnë muskujt

Rashiq për stërvitjet ushtarake serbe: Duan vetëm t’i tregojnë muskujt

Siguri
Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Lajme
Kalo në kategori