LAJMI I FUNDIT:

“Subvencionet 1”, dëshmitari rrëfen se ia dha të akuzuarit mbi 54 mijë euro ryshfet

“Subvencionet 1”, dëshmitari rrëfen se ia dha të akuzuarit mbi 54 mijë euro ryshfet

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin “Subvencionet 1”, dëshmitari bashkëpunues Fuat Morina, ka pohuar se të akuzuarit Salih Statovci ia kishte dhënë dy herë shumën mbi 27 mijë euro pas marrjes së subvencionit.

Këtë deklarim, Morina e ka dhënë në seancën e së martës, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special, Rafet Halimi.


Morina fillimisht ka treguar se në vitin 2020 ishte marrë me bujqësi dhe në po të njëjtin vit kishte aplikuar për subvencione në Ministrinë e Bujqësisë.

Ai tha se fillimisht kishte aplikuar për 109 hektarë të mbjellë me grurë, mirëpo më vonë ai tha se kishte paraqitur kërkesë për ndërrim kulture nga grurë në qaj kamomil.

Sipas tij, ndërrimi i kulturës është ofruar nga i akuzuari Salih Statovci dhe arsyeja e ndërrimit të kulturës kishte qenë përftimi më i madh.

Iniciativën për ndryshim kulture ai tha se e kishte pasur të përbashkët me Salih Statovcin.

Morina ka thënë se nga i akuzuari Salih Statovci e kishte marrë certifikatën për kulturën qaj kamomil.

Ai tha se diferenca e çmimit nga kultura e parë në të dytën ishte 700 euro më shumë për hektarë dhe shtoi se kështu kishin arritur marrëveshje që parat pastaj t’i ndajnë 50-50.

Vlera e përfituar nga subvencionet për vitin 2020 Morina tha se kishte qenë 109 mijë euro të cilat i kishte pranuar në dy këste.

Sipas tij, kësti i parë kishte qenë mbi 54 mijë euro që të njëjtën shumë e kishte ndarë përgjysmë me të akuzuarin Salih Statovci, e të cilat para ai tha se ia kishte dhënë diku në një lokal në Prishtinë.

“Më kujtohet 27 mijë po edhe do tjera nuk po m‘kujtohen, sa i ka ra gjysma tash nuk e di saktë”, tha Morina.

Edhe kësti i dytë Morina tha se kishte qenë në vlerën e njëjtë mbi 54 mijë euro, e të cilat përsëri i kishte ndarë përgjysmë me të akuzuarin Salih Statovci, por kësaj herë ato ia kishte dorëzuar në Skenderaj.

“Vlera e njëjta ka qenë 27 mijë por ajo mbetje a ka qenë 250 a 300 nuk e di tash”, tha i njëjti.

Këto dy hera kur ia kishte dhënë parat Salih Statovcit bashkë me të ai tha se ka qenë edhe kolegu i tij Kastriot Berisha, përmes të cilit edhe e kishte njohur Salih Statovcin.

Vërejtje në dëshminë e tij, pati mbrojtësi i të akuzuarit Salih Statovci avokati Tahir Rrecaj si dhe mbrojtësi i të akuzuarit Luan Statovci, avokati Naims Rudari.

Avokati Rrecaj tha se ka vërejtje sa i përket kohës së intervistimit të këtij dëshmitari në prokurori, ku sipas tij nga procesverbali i marrjes në pyetje koha e intervistimit ka qenë vetëm 20 minuta për gjithë këtë çështje kaq me rëndësi si dhe vërejtja tjetër ishte ajo se në pyetjet e parashtruara i njëjti ka dhënë opinione personale.

Ndërsa, avokati Rudari pati vërejtje rreth procedimit të këtij dëshmitari bashkëpunues e që sipas tij i njëjti ka qenë i dyshuar për dy vepra penale por në këmbim të marrëveshjes për pranimin e fajësisë i është falur një vepër penale.

Ai tha se dispozitat ligjore i mundësojnë prokurorit vetëm rekomandim për një dënim më të butë e assesi për t’i falur vepra penale.

“Po ashtu i njëjti është proceduar në kundërshtim me nenin 230 paragrafi 14 pasi që i njëjti është futur në marrëveshje para ngritjes se aktakuzës, ndërsa është dorëzuar aktakuzë e përbashkët me të akuzuarit tjerë ndërsa dispozita ligjore ka përcaktuar që të jetë aktakuzë e veçantë”, tha Rudari.

Tutje, në këtë seancë janë dëgjuar edhe dëshmitarit Arben Muslija dhe Selman Balaj.

Dëshmitari Muslija ka thënë se merret me tregti me mjete të bujqësisë.

Ai ka thënë se veturën e tij të tipit “Audi A7” të cilën e kishte blerë për 25 mijë euro kurse ia kishte shitur tani të akuzuarit Kushtrim Zogajt për 23-24 mijë euro.

Prej kësaj shume ai tha se i kishte marrë 11 mijë euro para të gatshme, ndërsa pjesën tjetër i kishte marrë mall nga barnatorja bujqësore e Zogajt.

Tutje, ai ka thënë ka thënë se për këtë veturë nuk kishte nënshkruar marrëveshje për shitblerje me Zogajn, por vetëm autorizim për vozitje.

“Marrëveshjen nuk e kam nënshkru se mu ka lut lema një vit në emër tendin ta voziti, arsyet ai i din unë si di edhe ja kom lon pa kurrfarë dyshimi, s’kom menu që ka me pas ndonjë problem këtu, absolut tu e njoft familjen dhe atë personalisht unë skam dyshu asnjë moment që muj me pas ndonjë problem”, tha dëshmitari Muslija.

Kurse, dëshmitari Balaj ka thënë se nga viti 2014-2015 merret me bujqësi dhe blegtori.

Ai ka treguar se deri në vitin 2016 ka punuar tokat të cilat janë në pronësi të Komunës së Istogut dhe të njëjtat vazhdon ende t’i punoj edhe pse iu ka ndërprerë kontrata.

“Këto prona gjenden në fshatin Veriq, i kemi punu prej vitit 2008-2009 deri diku në vitin 2016 me kontratë pastaj kemi vazhdu me i mbjell prapë por pa kontratë edhe hala te mjellta i kom arat, sepse na ka thonë kryetari deri sa ta nxjerrim një ligj”, tha dëshmitari Balaj.

Pas ndërprerje së kontratës për këtë pronë ai tha se nuk ka aplikuar për subvencione

“Sepse nuk kemi pasur të drejte dhe s’kemi pasur dokumente, sepse na është shkëput kontrata”, tha i njëjti.

Njoftimin që nuk ka mundur të aplikoj për subvencioni ai tha se e kishte marrë nga drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Istogut, emri i të cilit kontrketisht nuk i kujtohej.

Tutje, ai ka thënë se personin Dukagjin Mavraj e njeh si figure-si qytetar i Istogut ndërsa të akuzuarin Zogaj ai tha se e njeh si person që ka punuar si zyrtar në zyrën e bujqësisë.

I njëjti ka mohuar se ka pasur ndonjë marrëveshje me Zogajn për përfitimin e subvencionit për vitin 2020.

Lidhur me këtë ai tha se as nuk ka biseduar e as nuk ka pasur ndonjë iniciativë për marrëveshje.

Po ashtu, Balaj ka mohuar të ketë pranuar ndonjë shumë të parave nga Mavraj dhe Zogaj.

“Jo, nëse veç ma dëshmon Zogu ose ai Dukagjini që m’kanë dhanë mu pare unë nënshkruaj tash që unë jom në burg”, ka thënë Balaj.

Ndërsa, ai tha se ka marrëveshje për shfrytëzimin e pronës të Bekim Shalës, por se nuk ka ndonjë kontratë të nënshkruar me të.

E duke u përgjigjur në pyetjet e avokati Vokshi, dëshmitari Balaj tha se nuk ka dijeni nëse dikush në vitin 2020 ka aplikuar për subvencione për këto toka.

Ndryshe, në seancën e 21 shkurtit 2023, trupi gjykues kishte veçuar procedurën për të akuzuarit Nivokazi dhe Kelmendi, duke shtuar se gjykata në seancës e radhës do të vlerësojë nëse procedura do të vazhdohet ndaras apo do të bashkohet.

Ndërkaq, në seancën e 14 prillit 2023, ishte bashkuar procedura penale ndaj të akuzuarit Nivokazi me të akuzuarit e tjerë.

Në seancën e 13 prillit 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte pranuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë për 7 nga 21 të akuzuarit në rastin “Subvencionet 1”.

Ndërsa, më 19 prill 2022 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”, Alban Bushati, Kastriot Berisha, Bekim Shala, Flamur Zeqiri, Habibe Dauti, Dukagjin Mavraj dhe Daut Kabashi, duke i dënuar me 6 vite e 1 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

Sipas aktakuzës së ndryshuar të PSRK-së, të 4 prillit 2022, Flamur Zeqiri, Bekim Shala, Kastriot Berisha dhe Dukagjin Mavraj, akuzoheshin për veprën penale mashtrim me subvencione, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar akuzohej Habibe Dauti,  për marrje ryshfeti dhe falsifikim të dokumenteve akuzohej Alban Bushati, ndërsa për dhënie ryshfeti akuzohej Daut Kabashi.

Aktakuza e ndryshuar më 4 prill 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon Luan Statovcin, Sadat Shkodrën, Salih Statovcin, Berat Nikën, Hasan Maxharrajn, Kushtrim Zogajn, Jeton Sylajn, Lulzim Hajdarajn, Musa Nivokazin, Almir Abdurrahmanin, Salih Kelmendin, Fuat Morinën, Afrim Abazajn dhe Florim Nimanajn me veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Mashtrim me subvencione”, e të tjera, raporton betimiperdrejtesi.

Në shkurt të 2022-ës, PSRK kishte ngritur aktakuzë ndaj 21 të pandehurve, në rastin “Subvencionet.

Në trend Lajme

Më shumë
Vrasja e Liridona Ademajt - edhe dy muaj paraburgim për Naim Murselin dhe dy të tjerët, i dyshuari i katërt mbrohet në liri

Vrasja e Liridona Ademajt - edhe dy muaj paraburgim për Naim Murselin dhe dy të tjerët, i dyshuari i katërt mbrohet në liri

Drejtësi
Protestuesit hyjnë në Kuvend me pankarta për të drejtën e votës së emigrantëve, hedhin letra drejt deputetëve

Protestuesit hyjnë në Kuvend me pankarta për të drejtën e votës së emigrantëve, hedhin letra drejt deputetëve

Lajme
Siljanovska: Nuk do t'i largojë tabelat Maqedonia e Veriut, dhe do ta përdor vetëm Maqedonia

Siljanovska: Nuk do t'i largojë tabelat Maqedonia e Veriut, dhe do ta përdor vetëm Maqedonia

Politikë
Mentor Latifi emërohet ambasador i Kosovës në Zvicër

Mentor Latifi emërohet ambasador i Kosovës në Zvicër

Lajme
A po kushtëzohet anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës me themelimin e Asociacionit?

A po kushtëzohet anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës me themelimin e Asociacionit?

Elfije Boletini
Aktivisti i Luginës, Muharrem Salihu kandidati i parë nga Italia për zgjedhjet në Parlamentin Evropian

Aktivisti i Luginës, Muharrem Salihu kandidati i parë nga Italia për zgjedhjet në Parlamentin Evropian

Lugina
Kalo në kategori