eksperti-banner

Një stuhi e fuqishme e shoqëruar me rrufe ka përfshirë zonat malore të Librazhdit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në blegtori.

Euronews.al referuar burimeve thekson se dhjetëra goditje rrufesh janë regjistruar në Parkun Kombëtar të Shebenikut, si edhe në zonat e Sopotit, Polisit, Xhyrës, Dardhës dhe Spatharit.


Për shkak të intensitetit të stuhisë, banorët që ndodheshin në kullota dhe zona të hapura janë përballur me momente paniku.

Ngjarja më e rëndë është shënuar në fshatin Spathar, në Njësinë Administrative Qendër, në vendin e njohur si “Arrës”, ku një tufë dhish është goditur nga rrufeja.

Si pasojë e shkarkesës elektrike, bagëtitë kanë ngordhur në vend.

Pranë tufës ndodhej edhe bariu S. Kurti, i cili fatmirësisht i ka mbijetuar goditjes. Ai është gjetur disa orë më vonë nga familjarët në gjendje shoku dhe me traumë psikologjike. Pas ndihmës së marrë, mësohet se bariu ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Banorët e zonës e përshkruajnë stuhinë si një nga më të fortat e viteve të fundit, ndërsa aktiviteti i pandërprerë elektrik për disa orë ka rrezikuar jo vetëm bagëtitë, por edhe jetën e personave që ndodheshin në kullotat malore.