Struga vazhdon marshimin me fitore, kësaj radhe viktimë ishte Rabotniçki

Skuadra shqiptare nga Struga shënoi triumfin e radhës në Ligën e Parë të Maqedonisë, duke fituar 2-0 para tifozëve të vet dhe duke dërguar rivalët nga Shkupi në krizën më të thellë të këtij fillim sezoni, njofton Telegrafi.
Skuadra shqiptare nga Struga po tregon se ambiciet për këtë sezon janë të mëdha. Edhe pse janë luajtur vetëm tre javë në kampionat, fitoret e njëpasnjëshme e bëjnë të qartë se ish-kampionët kanë ambicie për më shumë.
Në ndeshjen e fundit, Struga mposhti me rezultat 2-0 Rabotniçkin, duke e vazhduar serinë pozitive dhe duke i dhuruar gëzim tifozëve në qytetin buzë liqenit. Golat erdhën si shpërblim i lojës së disiplinuar dhe presionit konstant ndaj rivalit, ndërsa në skenë sërish doli sulmuesi Kompaore, i cili realizoi golin e tretë radhazi në këtë sezon, ndërsa Malevski ishte autor i golit të dytë në sekondat pak para fundit të ndeshjes.
Rabotniçki, nga ana tjetër, ndodhet në krizë të thellë: pas tre javësh ende nuk ka gjetur rrugën e golit dhe mbetet e vetmja skuadër në ligë pa shënuar.
Struga e udhëhequr nga strategu shqiptar Bledi Shkëmbi, kishte edhe shanse të tjera për të thelluar rezultatin, por edhe kështu triumfi i dha një mesazh të qartë rivalëve: “Ne jemi këtu për të rikthyer kurorën.”
Në xhiron e ardhshme, Struga do të përballet në transfertë me Bashkimin në Kumanovë, ndërsa Rabotniçki pret Shkëndijën në Shkup, një duel që pritet të jetë sfidë e vështirë për skuadrën kryeqytetase. Sonte me fillim në ora 20:00 luajnë Vardari - AP Brera, nesër (23.08. 17:00), Sileksi - Makedonija GP, (24.08. 17:00) Shkëndija – Arsimi, dhe të hënën me duelet (25.08. 17:00), Bashkimi – Tikveshi dhe Pelisteri – Shkupi. /Telegrafi/








































