LAJMI I FUNDIT:

STIKK në javën kosovare të TIK-ut në Nju Jork dhe konferencën ‘Smart Cities’

STIKK në javën kosovare të TIK-ut në Nju Jork dhe konferencën ‘Smart Cities’

Nga e hëna e deri të premten më 17 maj, në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është duke u mbajtur java kosovare e TIK-ut nën mbikëqyrjen e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork.

Një faleminderit i veçantë për këtë organizim i dedikohet Konsulles së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork, Teuta Sahatqija, e cila është përkujdesur që Republika e Kosovës të përfaqësohet sa më denjësisht përgjatë Javës Kosovare të TIK-ut në Nju Jork.

Gjatë tërë kohës, Sahatqija ka bërë një punë të palodhshme që delegacioni nga Kosova të ketë mbështetjen e duhur gjatë kësaj vizite dhe ishte ndër figurat kryesore e cila mundësoi pjesëmarrjen e delegacionit tonë në “Smart Cities New York” dhe promovimin e rinisë, dijes, eksperiencës dhe motivit që posedon Kosova për audiencën ndërkombëtare.

Përgjatë tërë javës janë planifikuar të organizohen disa aktivitete ku ndër qëllimet kryesore është promovimi i sektorit të TIK-ut në Kosovë para një audience ndërkombëtare dhe krijimi i partneriteteve në mes të kompanive Kosovare dhe atyre Amerikane të këtij sektori.

Ndër aktivitetet e planifikuara përfshihen: vizita në kampusin e SAP Next-Gen, workshop rreth të bërit biznes në Shtetet e Bashkuara, workshop rreth të bërit biznes në Kosovë për kompanitë Amerikane, si dhe pjesëmarrja në konferencën ndërkombëtare “Smart Cities New York”, konferencë kjo e cila cilësohet si njëra ndër më të mëdhatë në Amerikën Veriore dhe e cila mbledh inovatorët dhe vendimmarrësit nga e gjithë bota të cilët janë duke punuar dhe zhvilluar teknologji të reja për përmirësimin e jetesës në qytetet e së nesërmes.

“Smart Cities New York” në edicionin e 3-të, nga data 13 deri më 15 maj, ju dha mundësi drejtuesve të qyteteve anë e mbanë globit, përfaqësuesve nga kompani të ndryshme dhe lidere të sektorit të TIK-ut dhe StartUp-ëve, për të diskutuar rreth teknologjisë së fundit dhe për të shkëmbyer eksperiencat e tyre rreth projekteve të cilat kanë të bëjnë me përmirësimin e kushteve të jetesës nëpër qytete duke i transformuar ato në më të jetueshme, të barabarta dhe të qëndrueshme.

Gjatë kësaj konference, pjesëmarrësit po ashtu kishin mundësinë të ndjekin fjalime nga folës të ndryshëm duke përfshirë: John Paul Farmer (City of New York); Jon McNeill (Lyft); Kajsa Ollongren (Kingdome of the Netherlands); Alice Charles (World Economic Forum); Eduardo Porter (The New York Times); Jan Vapaavuori (City of Helsinki); Ger Baron (City of Amsterdam) e shumë të tjerë.

Në këtë konferencë i pranishëm ishte edhe një delegacion nga Kosova i cili përbëhej nga: Shoqata e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK) dhe përfaqësues nga kompanitë anëtare Manaferra; Cacttus; LinkPlus IT; Financial Core; Frakton; Tech Frame; INET; Sonnecto, si dhe Innovation Center Kosovo (ICK) së bashku me përfaqësues nga DataWis; Gjirafa.com; Cyberlance; Skins Agency dhe Zombie Soup. Po ashtu, pjesë e delegacionit nga ana institucionale ishin edhe përfaqësues nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë; Ministria e Tregtisë dhe Industrisë; Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju Jork, KIESA dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Pjesëmarrja në Javën Kosovare të TIK-ut në Nju Jork dhe “Smart Cities New York” është pjesë e projektit “Transformimi Digjital i Ekonomisë Kosovare” i përkrahur nga Ministria së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë të Republikës së Kosovës. Po ashtu duhet të falënderojmë edhe USAID Kosovo dhe Sida – Styrelsen för Internationellt Utvecklingssamarbete për mbështetjen e tyre përmes projektit Empower Private Sector Kosovo. /Telegrafi/