Specializimi i farmacistëve në biokimi, protestohet para Ministrisë së Shëndetësisë


Ndryshimi i udhëzimit administrativ 02/2026 përmes së cilit u lejohet që farmacistët të përfundojnë specializimin në Biokiminë Klinike, ka nxjerr në protestë biokimistët, të cilët para Ministrisë së Shëndetësisë, kanë kërkuar ndryshim të udhëzimit.
Fillimisht ankesat i adresuan përmes shkresave.
E tash, kur përgjigje s’kanë, specialistët e specializantët e Biokimisë Klinike po protestojnë kundër ndryshimit të udhëzimit administrativ përmes të cilit u lejohet farmacistëve të kryejnë specializimet në Biokimi.
Para hyrjes së Ministrisë së Shëndetësisë, aty ku protestuan, Besar Rexha i renditi arsyet e kundërshtimit.
“Shprehim shqetësimin tonë për përfshirjen e farmacistëve si specializant në Biokiminë Klinike ndonëse gjatë diskutimit publik për këtë udhëzim kjo kategori nuk ka qenë e përfshirë gjë që e bën këtë ndryshim të pa pritur dhe të pa diskutueshëm nga na ligjore”, ka thënë Rexha.
Rexha tha se ka dallime edhe në përgatitjen akademike mes këtyre dy profileve mjekësore.
“Ka dallime mes përgatitjeve akademike mes mjekëve të përgjithshëm dhe farmacistëve sepse mjekësia e përgjithshme është program gjashtë vjeçar me 360 kredi kurse farmacia është program katër vjeçar me 300 kredi e që nuk merret fare me diagnostifikim”, ka thënë Rexha.
Kritik ndaj vendimit të ministrit në detyrë Arben Vitia qe edhe Sadik Gashi.
‘Ne nuk jemi të interesuar që të ketë laboratore si pompa të benzinës që çdo kush me pas qasje pastaj edhe puna bëhet në mënyrë më të organizuar se jo çdo kush mundet me i bë krejt analizat”, ka thënë Gashi.
Specialistja Luljeta Hetemi u ankua se pavarësisht shqetësimeve, ata nuk morën përgjigje.
“Reagimet tona kanë qenë dhe janë të ditura dhe nuk kemi marrë ndonjë përgjigje pavarësisht shkresave dhe emaileve zyrtare të dërguara në Ministrinë e Shëndetësisë”, ka thënë Hetemi.
Ministria e Shëndetësisë nuk i ktheu përgjigje as televizionit Dukagjini në lidhje me këtë çështje./Tv Dukagjini
- YouTube youtu.be



































