Shpresoj se kjo vizitë e jona do të jetë një shtysë shtesë drejt marrëdhënieve të mira ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë, një shtysë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe do të jetë një mesazh i mirë i bashkëpunimit, miqësisë dhe partneritetit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Kështu deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, sot në Sofje, ku së bashku me kolegun e tij bullgar Bojko Rashkov, do të marrin pjesë në stërvitjen e përbashkët të njësive policore të Departamentit të Operacioneve Speciale Policore të MPB-së së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe njësitë speciale policore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Bullgarisë.

Siç theksoi Spasovski, kjo është stërvitja e parë e përbashkët e njësive speciale policore të dy vendeve, e cila do të tregojë gatishmërinë në situata të caktuara që të kemi shfaqje të përbashkëta për të ruajtur paqen dhe stabilitetin tonë dhe paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë dhe përtej.

Sipas ministrit Spasovski, ekziston një bazë e mirë përmes së cilës është krijuar qendra e përbashkët e kontaktit për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, shkëmbimin e të dhënave dhe informacioneve dhe bashkërisht kontribuojmë në rritjen e sigurisë së të dyja vendeve dhe qytetarëve të tyre.

Në takim, Spasovski dhe Rashkov biseduan për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit, por edhe për hapjen e pikës së re kufitare Berovë – Klepalo. Ministri Spasovski njoftoi se për përgatitjet në këtë proces për disa ditë do të mbahen takime të përbashkëta të komisioneve që punojnë në këtë projekt dhe shprehu shpresën se ky projekt do të realizohet shumë shpejt./Telegrafi/