Spanja pritet të zgjerojë masat kundër duhanit duke ndaluar pirjen e cigareve edhe në hapësirat e jashtme të lokaleve të gastronomisë.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja spanjolle e Shëndetësisë, Monica Garcia, e cila tha se vendi synon të bëhet lider në kontrollin e produkteve të duhanit.


Reforma e re vjen pas masave të mëparshme që ndaluan pirjen e duhanit në zyra dhe në hapësirat e mbyllura të restoranteve dhe lokaleve.

Ministrja Garcia deklaroi se shoqëria ka ndryshuar dhe se shfaqja e produkteve të reja të duhanit ka krijuar nevojë për politika të reja të shëndetit publik. Sipas saj, duhani shkakton rreth 140 vdekje çdo ditë në Spanjë, ose afërsisht 50 mijë viktima në vit.

Ajo theksoi gjithashtu se rreth 30 për qind e rasteve të kancerit në vend lidhen me përdorimin e produkteve të duhanit.

Sipas agjencisë Reuters, qeveria spanjolle ka përgatitur tashmë një projektligj për ndalimin e pirjes së duhanit në tarracat e lokaleve, i cili tani duhet të marrë miratimin e parlamentit. /Telegraf/